Historianët e Deçanit, thirrje institucioneve për moszbatim të vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit

Historianët e Deçanit kanë thënë gjatë një konferencë për media se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t’ ia njohur Manastirit të Deçanit pronësinë e pronave të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, është antikushtetues dhe i vë në zbatim ligjet e Serbisë nga vitet e ‘90-ta.

Në 5 vjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat rreth Manastirit të Deçanit, Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës, Dega në Deçan ka organizuar sot një aksion dhe konferencë për media në Agjencinë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë, përmes së cilës kanë kundërshtuar vendimin e 20 maj 2016 dhe kërkesat për zbatim të atij vendimi.

Historianët e Deçanit kanë thënë do të radikalizojnë qëndrimet, qoftë me protesta apo greva nëse zbatohet vendimi nga Agjencia Kadastrale.

Shkodran Imeraj, kryetari LHK-së, Dega në Deçan ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetues ishte antikushtetues dhe i ka bërë thirrje Agjencisë Katastrale të Kosovës që të mos e zbatojë atë.

 “Vendi i Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit nuk është asgjë më shumë e asgjë më pak se sa një vendim i cili i njeh dhe i vë në zbatim të ligjeve që i ka marrë Serbia për Kosovën në periudhën  1990-99, gjatë kohës së masave të dhunshme. Kërkojmë nga Agjencia Kadastrale dhe kryeshefi i saj që të mos e zbatojë vendimin antiligjor dhe antik kushtetues për pronat rreth Manastirit”, ka thënë historiani Imeraj.

Imeraj u ka bërë thirrje ambasadorëve të vendeve të QUINT-it që të mos kërkojnë zbatimin e vendimit.

“Kryesia e Lidhjes i bën thirrje kryeparlamentarit Konjufca, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që sa më parë dhe pa humbur kohë të intervenojnë në kontestin pronësorë në mes të Manastirit dhe Komunës së Deçanit”, ka thënë Imeraj.

Imeraj ka thënë se pronat dhe pasuria e ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” duhet të shpallen pasuri kombëtare e Kosovës.

Ai ka thënë se Historianët e Deçanit janë kundër tentimit të themelimit të ekstraterritorialitetit të Manastirit të Deçanit.

Po ashtu, Imeraj ka thënë se Qeveria duhet të nxjerrë një ligj special i cili i bën të pavlefshme të gjitha vendimet që i ka marrë Serbia për Kosovën nga viti 1989-1999.

Ndërkaq, historiani Selim Lokaj, ka thënë se në mënyrë antiligjore Gjykata Kushtetues pronat e ndërmarrjeve deçanase ia njehe një institucioni që nuk e njeh Republikën e Kosovës.

“Lidhja e Historianëve të  Kosovës-Dega në Deçan dënon ashpër vendimin që gjyqtarja Gresa Caka- Nimani të jetë në krye të Gjykatës Kushtuese, pasi ajo në dhënien e vendimit pro që pronat e ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ t’ i takojnë Manastirit të Deçanit, ka shkelur rendin e ri kushtetues të Kosovës”, ka thënë  Lokaj.

Në 2016 Gjykata Kushtetuese e Kosovës  mori vendimin, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë përreth tij.