Historianët e Deçanit i reagojnë ambasadorit Kosnett për tokën e Manastirit

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, i cili kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit. 

Lidhja i kujton ambasadorit Kosnett se “vendimet e Millosheviqit” janë të pazbatueshme në Kosovë. 

Në reagim thuhet se historianët e Deçanit u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen që i kanë dhëne Kosovës në të gjitha periudhat kohore. 

“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Deçan, reagon ashpër ndaj deklaratës së Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Fhilip Kosnett, i cili ka kërkuar zbatimin e vendimit anti- kushtetuese dhe anti- ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të majit të vitit 2016 në lidhje me kontestin pronësor në mes Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” e Komunës së Deçanit në njërën anë, dhe Manastiri të Deçanit në anën tjetër. Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, i kujton Ambasadorit Fhilip Kosnett, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i majit të vitit 2016, është i mbështetur në ligjet e kohës së masave të dhunshme të kohës së Millosheviqit, ligje dhe regjim të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë e tjerë të Kosovës, e kanë cilësuar si pushtet të dhunshëm dhe diktatorial, pasi që ai me të vërtet ishte regjim diktatorial dhe anti shqiptar, i cili është përgjegjës për gjenocid të kryer kudër shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në reagim. 

Më tej, Lidhja bën thirrje për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe në të njëjtën kohë përsërit kërkesën për dorëheqjen e parevokueshme të kryetares së kësaj Gjykate, Arta Rama-Hajrizi, e cila, sipas historianëve deçanas, me nënshkrimin e vendimit të majit të vitit 2016, ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. 

“Lidhja e Historianëve  ‘Ali Hadri’, Dega në Deçan, i kujton Ambasadorit Philip Kosnett dhe gjithë ambasadorëve të akredituar në Prishtinë si dhe liderëve të institucioneve të Kosovës, se vendimet e kohës së masave të dhunshme të kohës së Millosheviqit të periudhës 1990-1999 janë të pazbatueshëm, të papranueshëm për shqiptarët e Kosovës.Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, i kujton Ambasadorit Kosnett, se ishin pikërisht prijësit e këtij Manastiri, ata të cilët gjatë kohës sa shqiptarët e Kosovës po luftoni për liri, çlirim dhe pavarësi nga pushtimi serb me 1998-1999, kanë organizuar mesha kishtare, duke i “bekuar” e lagur me ujë qindra paramilitarë serb, të cilët me pas kanë kryer krime gjithandej Kosovës”, thuhet në reagim.

Po sipas Lidhjes, çdo tentim për të zbatuar vendimin, siç thuhet në reagim – antikushtetuese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, qoftë nga pushteti vendor në Deçan apo edhe ai qendror në Prishtinë, do të sjellë pakënaqësi e thirrje të demonstratave, për të cilat, siç thonë historianët e Deçanit, faturën do e marrë Arta Rama-Hajrizi, “e cila si një tutelë e ambasadorëve të huaj e politikes vendore, ka shkelur rend mbi gjakun e derdhur për lirën, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe ai organ i cili merr barrën e zbatimit të një vendimi anti– ligjor dhe anti -kushtetuese”. 

Sot gjatë ditës ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit. 

“Katër vjet janë shumë të gjata. Respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është i detyrueshëm. Institucionet duhet të zbatojnë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit menjëherë”, ka shkruar Kosnett në Twitter. 

Më 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i njohu të drejtën e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë për shkak të kundërshtimeve dhe reagimeve nga banorët lokalë.