Historia e vjedhjes së 2 milionëve, flet ministrja e Financave

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në intervistën përballë Jeta Xharrës është pyetur edhe për vjedhjen e 2 milionë e 70 mijë eurove nga Thesari i Shtetit dy muaj më parë.

Ministrja Bajrami ka treguar edhe një herë se çfarë ka ndodhur në këtë rast.

“Zyrtari në fjalë i Ministrisë së Financave i cili tash gjendet në burg, ka keqpërdorur përgjegjësitë ligjore, ka marrë mjete nga MI që kanë qenë të zotuara për katër projekte të tjera dhe duke keqpërdorur pozitën e tij i ka transferuar në një llogari të një pale e cila assesi nuk është dashur të jetë përfituese”, ka thënë ajo.

“Është për keqardhje ajo çfarë ka ndodhur, kjo që më ka ndodhur mua ka mund t’i ndodhë kujtdo tjetër, nuk lidhet me kompetencën e ministrit”, ka theksuar ajo.

Ministrja Bajrami ka thënë se deri më tani është gjurmuar skema e kësaj vjedhjeje.

“Me ndihmën e njësisë të Inteligjencës Financiare dhe me ndihmën e  të gjithë akterëve të cilët po merren me hetimin është gjurmu komplet transaksioni”, tha ajo.

Bajrami ka thënë që të gjitha paratë e vjedhura nga Thesari do të kthehen.

“Unë besoj shumë që këto cent më cent do të kthehen sepse janë të gjurmuara të gjitha. Një pjesë e madhe e mjeteve janë të bllokuara, një pjesë janë në Turqi, Gjermani, në banka të Kosovës”, tha ajo.