Foto: Reuters

Historia e Tom Canavan që “u varros i gjallë” më 11 shtator 2001

Tom Canavan është një nga shumë të tjerë të cilët i shpëtuan vdekjes më 11 shtator të vitit 2001, raporton Reuters.

Për të thuhet se “u varros i gjallë” në kullën e parë binjake që u sulmua nga organizata terroriste Al Kaeda.

Canavan në krahun e tij të djathtë ka një tato ku shihen dy Kullat Binjake me mbishkrimin “i mbijetuar”.

I njëjti tregoi se tashmë kjo ngjarje është pjesë e jetës së tij.

“Unë jam pjesë e 9/11; ajo është pjesë e imja”, tha ai.

Në orën 08:46, kur edhe u godit Kulla e Veriut, Canvan ishte në katin e 47-të të kësaj ndërtese, në një takim me shefit e tij në zyrë.

Pas shpërthimit, së bashku me kolegët e tij filluan të zbresin ngadalë shkallët drejt sigurisë.

Ai shpjegoi se si po kalonin policinë, zjarrfikësit dhe punonjësit e shpëtimit të cilët po futeshin brenda në ndërtesë për të shpëtuar të mbijetuarit e të plagosurit.

Canavan tregoi se gjatë kohës kur ata po përpiqeshin të shpëtonin, një aeroplan i dytë goditi Kullën e Jugut.

Në atë moment, Canavan dhe katër kolegë të tij veç se kishin dalë në zonën nëntokësore të ndërtesës. Mirëpo, ende pa dalë jashtë saj, Kulla e Jugut u shemb.

“Mbaj mend që u bërtisja ose përpiqesha t’iu bërtisja njerëzve para meje, për të kaluar nga një dalje. Nuk e di se çfarë kam thënë kur e kam ndjerë goditjen, mirëpo e di që thjeshtë jam përplasur në tokë si të isha një insekt”, tregon Canavan.

I njëjti shpjegoi se mendimet e tij të fundit ishin për festën e ditëlindjes së tretë të djalit të tij dhe se si ai kurrë nuk do të takonte vajzën e vogël që mbante gruaja e tij shtatzënë.

Mirëpo, pas pak minutash ai filloi që të shijojë zhavorrin në dhëmbët e tij dhe të nuhas tymin.

“Në ato momente i thash vetës “në rregull, unë jam gjallë’”, vazhdon Canavan.

Sipas Canavan, ai dhe një person tjetër të cilin ende nuk e njeh se kush ishte, shpëtuan sepse një mur i madh çimentoje kishte rënë mbi ta, duke krijuar një pjesë të sigurt nga grumbullimi i shufrave të çelikut të përdredhura me njëra – tjetrën.

Të njëjtit filluan që të zvarriteshin dhe të gërmonin rrugën e tyre lart nëpër rrënoja.

Canavan tregoi se ky proces mund të ketë zgjatur 20 minuta.

Pas këtyre 20 minutash, përmes një vrime të vogël ata e panë dritën, ku edhe morën frymën e parë të ajrit të pastër.

I njëjti tregoi se kaloi nëpër një vrimë të vogël, duke e prerë trupin në çdo pjesë, mirëpo duke mos ndjerë asgjë.

“Unë u lëndova dhe nuk e ndjeva, nuk ndjeva asgjë”, shtoi tutje Canavan.

Ai përfundoi duke thënë se nuk kalon as edhe një ditë e vetme që të mos e kujtojë këtë ndodhi.

11 shtatori i vitit 2001, është dita kur bota u trondit nga sulmet terroriste që u bënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mbetën të vrarë 2 mijë e 997 njerëz.

Në këtë ditë lideri i Al -Kaedas nga Afganistani, Osama bin Laden organizoi 90 burra që rrëmbyen katër aeroplanë tregtarë amerikanë të ngarkuar me karburant.

Dy nga këta aeroplanë goditën qëllimisht Kullën Veriore dhe atë Jugore, ndryshe të njohura si Kullat Binjake.

Aeroplani i tretë goditi një ndërtesë në Pentagon të Uashingtonit.

Ndërsa, ai i katërti u përplas në një fushë pranë Shanksville në Pensilvani.

Ky i katërti besohet se u përplas në fushë pasi që pasagjerët dhe bordi drejtues që ishte aty tentuan të marrin nën kontroll prapë aeroplanin duke mos lejuar që grupi sulmues të shkonte në vendin që kishin planifikuar të sulmonin.

Mosha e viktimave në këtë sulm ishte nga dy deri në 85 vjeç, ku përafërsisht 75 deri në 80% e viktimave janë burra.

Sulmi i 11 shtatorit la të vdekur 343 zjarrfikës të New Yorkut, 23 policë të të njëjtit qytet dhe 37 oficerë të tjerë.

E gjithë ngjarja tronditëse ndodhi brenda periudhës kohore 08:46 – 10:28.