Historia e kullës së Zejnullah Begut në Balincë të Vushtrrisë
Në majën e fshatit piktoresk të Balincës, rreth 10 kilometra në perëndim të Vushtrrisë, qëndron një objekt që dallon shumë nga shtëpitë përreth saj. Ështe kjo kulla e Zejnullah Begut.
Rrëfimet tregojnë se monument kulturor i takon një periudhe aspak të volitshme për historinë e popullit shqiptar.
Për historianët është e rrallë të flitet për një objekt kulturor, që mbërthen në vete një shekull histori, e që ka pasur aq shumë funksione.
Historiani Izet Miftari thotë për KALLXO.com, se ky objekt kulturor është ndërtuar në fillim të shekullit XX (20).
“Kulla e Zejnullah Begut është ndërtuar në fshatin Balincë, në fillim të shekullit XX. Këtë kullë e kanë ndërtuar mjeshtrit dibranë (nga Dibra)”- ka thënë ai.
Si një “beg” i asaj kohe, pasuria e ti kishte bërë që Zejnullah Begu të ndërtonte kulla në shumë vende të Vushtrrisë, e njëra ndër to është edhe kjo kullë në fshatin Balincë.
“Ndërtimin e saj e ka bërë Zejnullah Begu, një kushëri i Hasan Prishtinës. Ishte njeri i pasur dhe me ndikim në kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dhe një nga organizatorët e kryengritjeve të viteve 1909-1912”- shton tutje historiani.
Me një pamje nga qyteti i Vushtrrisë, kullë kjo dy katëshe, kati i parë i ndërtuar nga gurët e mëdhenj e të gdhendur nga historia, ndërsa kati i dytë pas disa restaurimeve kishte arritur të ruaj origjinalitetin.
“Kjo kullë kishte bodrumin. Sot ka katin përdhesë dhe katin e parë. Madhësia e kullës është 15 metër katrorë. Për ndërtimin e saj janë përdorur gurë dhe tulla”- vazhdon rrëfimin historiani.
Kulla e Zejnullah Begut është një monument kulturor i mbrojtur me numrin e referencës 3272.
Izet Miftari shtoi se muret e kullave kishin qenë fortifikatë për shumë vite të luftërave në Kosovë, por që gjatë luftës së fundit në vend, më1998-1999, ka bërë që kjo kullë të dëmtohet shumë.
Në vitin 2014, në këtë kullë është intervenuar për restaurimin e hapësirës, duke filluar nga demolimi i pjesëve të dëmtuara dhe të kalbura. Muret e dëmtuara janë konsoliduar si në gjendjen e mëparshme, njëkohësisht kurora e katit të parë është rindërtuar, gjatë këtij intervenimi është ndërhyrë edhe në pjesën e dekoreve të fasadava.
Historiani theksoi se pas luftës kulla është restauruar pjesërisht, por që duhet ende të rregullohet.
“Në këtë kullë, përveç ngjarjeve të tjera, në maj të vitit 1912, është mbajtur një mbledhje e krerëve të kohës, të prirë nga Hasan Prishtina, me qëllim të përgatitjeve për fillimin e kryengritjeve anti-osmane të vitit 1912”- tha Miftari.
Miftari tregon se shtyllat e kësaj kulle ishin të ndërtuara në “stilin dorik”dhe se ndërtimi i saj daton para shumë viteve.
E përbërë nga shumë dritare, në mes dritareve gjendeshin disa hapësira të njohura si frangji, të cilat në atë kohë ishin nevojitur për vendosjen e armëve, në raste sulmesh.
Rrallë mund të flasim për një monument kulturor, që mbërthen në vete një shekull histori, e që ka pasur aq shumë funksione, thotë Miftari.
“Gjatë viteve 1929-1941 ka qenë burg i pushtetit të Mbretërisë Jugosllave. Në vitet 1945-1974, ka qenë e vendosur si shkolla e fshatit. Pas këtij viti, e deri më sot, është vetëm monument historik”- ka thënë historiani Miftari.
Ky objekt që rrethohet me histori të ndryshme ndër vite, mbetet njëri nga atraksionet historike më interesante të Vushtrrisë.