Historia e 63 vjeçarit nga Prekazi i Epërm, në vetmi e pa drita

Po bëhen afër një javë që Imer Idrizi nga fshati Prekaz i Epërm i Skenderajt zgjohet pa energji elektrike në shtëpinë e tij, në të cilën tash e disa vite jeton i vetëm.

“Po duhet me nejtë në terr, s’po kam çka baj”, thotë i moshuari për KALLXO.com

Idrizi tregon se para dy ditësh kanë ardhur disa punëtorë të KEDS-it te shtëpia e tij për të cilët thotë se i thanë që do t’ia rikthejnë energjinë elektrike.

Imer Idrizi – Foto: Xheneta Murtezaj/KALLXO

Imer Idrizi, 63 vjeçar, thotë se nuk e di nëse kjo ndërprerje ka ardhur si pasojë e mos pagesës se rregullt.

“Që gjashtë ditë a shtatë, që një javë gati. Zor shumë pa rrymë, kërkan se kam thirrë veç ju kam kallxu që u nal. Ju kam kallxu do të KEDS-it që janë kanë qitu, erdhën më veten, ju kallxova, e më thanën ajt se ja’u lëshojna na. Që nja dy ditë kenë, edhe s’ma lëshuan. Nuk e di pse ma kanë nal, nashta edhe për pagesë. Nuk me thanën qe duhna me pagu”, u shpreh ai.

Idrizi ka disa vite që jeton i vetëm në shtëpinë e tij. Ai thotë se ka probleme edhe shëndetësore.

“Unë jetoj vetun, edhe veç me një pension 100 euro. Përdori edhe barna për kamë, se nuk e kam mirë se jam rrëzu. E me shkojnë pare edhe në barna për ta”, u shpreh tutje ai.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka dërguar pyetje në drejtim të Komunës së Skenderajt dhe gjithashtu është në pritje të një përgjigje nga ana e KEDS-it.

Komuna e Skenderajt javën e kaluar i dërgoi në Shtëpinë e të Moshuarve, dy pensionistë pasi në media u raportua se të njëjtit janë pa energji elektrike si pasojë e një borxhi.