Hiqet kompensimi shtesë për anëtarët e bordit të Trustit pas përfundimit të mandatit

Komisioni për Buxhet dhe Transfere në mbledhjen e sotme ka vendosur që të hiqet kompensimi për anëtarët e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës pas përfundimit të mandatit.

Kryesuesi i Komisionit, Hekuran Murati, nga Vetëvendosje, ka thënë se kompensimi shtesë për 70 për qind të pagës është abuzim i parasë publike.

“Të puna e statutit për kompensimin shtesë të bordit për një vit pas përfundimit të mandatit, nuk buxhetohet, duhet me mbetë qysh ka qenë pasi që është konstatuar se të gjithë anëtarët që kanë apliku janë të vetëdijshëm që ligji e parasheh një gjë të tillë dhe së është abuzim me parë publike dhe nuk është fer me u ngarku edhe kjo tarifë”, tha kryesuesi.

Murati ka kërkuar nga drejtori menaxhues i Trustit, Ardian Zalli dhe kryesuesi i bordit, Ruzhdi Morina, që në një mbledhje tjetër të sjellin një tabelë të re lidhur me taksën investuese menaxhuese.

“Për taksën investuese menaxhuese, të targetohet dhe ta sillni një tabelë të re, ku ka një plan me tarifa të përmirësuara dhe targetuar në fonde ku tarifa është me ulët. Ndërsa të konsulentëve ligjorë do të mbetë buxhetimi siç ka qenë. Dhe të kontingjenca për kompensimin shtesë të bordit në rast se ata e përfundojnë mandatin para kohe nuk miratohet”, ka thënë Murati.

Ndërkaq, sipas bordit të Trustit, kompensimi shtesë është vendosur si shkak se anëtarët janë të kufizuar se ku mund të punojnë pas përfundimit të mandatit.

Kryetari Murati dhe anëtarët tjerë u rekomanduan përfaqësuesve të Fondit për Kursime Pensionale që raporti të plotësohet më të dhëna shtesë, për ta shqyrtuar më pas në një mbledhje të radhës.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar kërkesa e Qeverisë për konsultim lidhur me vendimin e Qeverisë 06/04 të datës 28 shkurt 2020 për shfuqizimin e vendimit numër 11/68 të datës 09.10.2018, i cili që ka të bëjë me akcizën për duhanin.

Para anëtarëve të Komisionit, vendimin e Qeverisë lidhur me kërkesën për shfuqizim e ka paraqitur zëvendësministri për Buxhet dhe Transfere, Agim Krasniqi.

Me shtatë vota për dhe vetëm një abstenim, propozim-vendimi ka marrë mbështetjen e Komisionit.