Foto: Policia e Shtetit

Himarë, fundoset varka në det, shpëtohen 3 e zhduket një person

Policia Kufitare e Shqipërisë dhe Roja Bregdetare kanë shpëtuar tre persona që rrezikuan të mbyteshin në det, në Himarë, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një personi të gjinisë femërore, për të cilën dyshohet se është mbytur.

Incidenti ka ndodhur pasi që është fundosur varka me të cilën ata kishin dalë për peshkim.

Siç njofton Policia e Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe Rojën Bregdetare për ndihmë.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe Rojës Bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende.

Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.