Rrugë e mbuluar me borë e ngrica - Ilustrim

Hidrologu paralajmëron përkeqësim të motit, pritet të ketë ngrica dhe shembje dheu

Bashkim Kastrati, hidrolog në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ka paralajmëruar përkeqësim të motit gjatë 24 orëve.

Ai ka thënë se pritet të ketë ngrica në rrugë, pasi gjatë natës do të ketë temperatura më të ulëta.

“Është pak ca paradoksale por reale ngase aktualisht në disa pjese te Kosovës dhe me gjerë kemi zbrazje atmosferike (rrufe), reshje të shiut, breshnizë dhe dëbore, në të njëjtën kohe. Duke pasur parasysh që gjatë orëve të natës do te kemi temperatura me të ulëta, dhe shiu i rënë gjatë ditës, mund te shkaktoj ngrica në rrugē”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, një situatë e tillë akoma më shumë e ka rënduar edhe ashtu gjendjen me vërshime dhe mund të ketë shembje dheu.

“Kjo situatë pritet që orëve dhe ditëve në vijim të përkeqësohet edhe më tutje, ngase parashikohet qe te kemi reshje shiu por edhe bore. Situata e tillë paraqet rrezik qarkullimi nëpër rrugë të cilat mund të ngrihen gjatë orëve të vona, po ashtu mund të ketë shembje dheu”, ka shtuar Kastrati.

Kastrati ka shtuar se në shumicën e lumenjve edhe pse kemi një rënie të lehtë të niveleve, reshjet në vazhdim përsëri do të ndikojnë në ngritjen e tyre dhe shkaktimit të problemeve.

Ai po ashtu ka publikuar edhe disa harta të cilat tregojnë gjendjen aktuale të motit në Kosovë.

Reshjet e fundit të shiut dhe borës që kanë rënë me intensitet të lartë, kanë shkaktuar vërshime në shumë pjesë të Kosovës.