Hidhet një mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie në Zubin Potok

Dyshohet se një granatë dore është hedhur në një oborr shtëpie në Zubin Potok, të mërkurën më 04.09.2024.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani i cili potencoi se nuk është raportuar për të lënduar.

“Sot në mëngjes rreth orës 02:40 është dëgjuar një shpërthim në Zubin Potok. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshojmë se kemi të bëjmë me një granatë dore, e cila është hedhur në oborrin e një shtëpie”- ka thënë Elshani.

Ai shtoi se dëme materiale janë vërejtur në këtë zonë.

“Ka dëme materiale të vogla në një veturë dhe në xham të shtëpisë. Nuk ka të lënduar, Policia është duke punuar në ndriqim të rastit”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.