Ilustrim
Hidhet mjet shpërthyes në afërsi të ish- komunës ilegale në Leposaviq
Një shpërthim është dëgjuar pas mesnate në Leposaviq. Ngjarja tashmë është regjistruar në Policinë e Kosovës ndërsa dyshohet se një mjet shpërthyes u gjuajt afër objektit të ish- komunës ilegale në Leposaviq.
Kështu kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për KALLXO.com.
“Policia e Kosovës, ka pranuar informacion se pas mesnatës në afërsi të objektit të ish komunës ilegale në Leposaviq, është hedhur një mjet shpërthyes i cili dyshohet të jetë shok bombë. Njësitet relevante policore, menjëherë kanë dalur në vendin e ngjarjes, për të kryer ekzaminime dhe hetime lidhur me rastin. Nuk raportohet për lëndime, përderisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore”, ka njoftuar PK.
Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni që zgjati për disa orë kundër institucioneve paralele ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.
Policia tha se janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Policia ka bërë të ditur edhe çfarë provash materiale janë konfiskuar në këto institucione ku u zhvilluan kontrollat policore.
Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte.
“Po ashtu Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave policore në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishekë me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.08.2024.
Policia shton se i tërë aksioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për t’u veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente.
“Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës” – kanë theksuar Policia.
Gjatë kohës sa zhvillohej aksioni i Policisë në veri të Kosovës, më 30.08.2024 edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Sipas ministrit Krasniqi, komunat paralele që u përmenden se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Më 26.01.2024 u mbyllën katër komuna paralele në fshatin Vranisht të Dragashit, ndërsa më 02.02.2024 u mbyll një komune ilegale serbe në Pejë e në të njëjtën ditë u zhvillua aksioni policor edhe në komunën e Klinës, Istogut.
Në anën tjetër, aksioni i Policisë së Kosovës i realizuar të premten, më 30.08.2024, në Mitrovicë të Veriut u përcoll dhe raportua nga vendi i ngarjes nga ekipi i KALLXO.com.