Foto: Mediat sociale
Hezbollahu u dorëzoi militantëve “pagerë” edhe disa orë para shpërthimeve
Grupi libanez, Hezbollah, ende ishte duke ua dorëzuar militantëve të vet pajisjet elektronike disa orë para se mijëra sosh të shpërthenin gjatë javës, kanë bërë të ditur dy burime për agjencinë Reuters, duke sinjalizuar se grupi ishte i bindur se pajisjet ishin kontrolluar për të identifikuar kërcënimet e mundshme që mund të vinin bashkë me to.
Një anëtar i grupit militant të mbështetur nga Irani kishte pranuar një “pager” të ri të hënën që shpërtheu të martën gjatë kohës sa ende e kishte në kuti, ka bërë të ditur një burim.
Një pajisje elektronike – e njohur si “pager” – që i ishte dhënë një anëtari të lartë vetëm disa ditë më parë, kishte shpërthyer dhe lënduar pronarin e ri në valën e dytë të sulmeve.
Në një sulm qartazi të koordinuar, pajisjet “Gold Apollo” shpërthyen të martën në bastionet më të mëdha të Hebzollahut në jug të Libanit, në periferi të Bejrutit dhe në luginën lindore Bekaa.
Të mërkurën, shpërthyen edhe qindra radiolidhje të Hezbollahut. Sulmet e dy ditëve lanë të vdekur 37 persona, përfshirë edhe dy fëmijë, dhe plagosën më shumë se tre mijë të tjerë.
Libani dhe Hebzollahu akuzojnë Izraelin për sulmet. Reuters raporton se inteligjenca sekrete e ushtrisë izraelite, të njohur si Njësiti 8200, ishin përfshirë në planifikim, ka bërë të ditur një burim sigurie i një shteti perëndimor. Izraeli, që po kryen sulme në Libanin jugor, as nuk e ka konfirmuar e as nuk e ka mohuar akuzën se qëndron prapa sulmeve.
Bateritë e radiolidhjeve ishin mbushur me eksploziv të njohur si PETN, ka thënë një tjetër burim libanez i informuar me komponentët e pajisjeve. Tre e më hsumë gramë eksploziv ishin futur tinëzisht në “pagerët”, dhe për muaj me radhë, “Hezbollahu” nuk e kishte ditur çfarë kishte brenda tyre, ka raportuar Reuters. Madje pajisjet kishin kaluar edhe testet që ishin kryer në skanerë aeroportesh. Burimet nuk kanë specifikuar në cilin aeroport janë kryer ekzaminimet.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com