“Hezbollahu” sulmon Izraelin me dronë, rritet frika për luftë rajonale
Grupi militant libanez, “Hezbollah”, ka lansuar një mori sulmesh me dronë drejt Izraelit verior të enjten (19.09.2024), duke vazhduar shkëmbimet e zjarrit me ushtrinë izraelite në kohën kur po rritet frika për luftë më të gjerë rajonale, raporton agjencia e lajmeve, AP. Qindra pajisje elektronike të përdorura prej “Hezbollahut” kanë shpërthyer në Liban dy ditë me radhë, duke i lënë të vrarë së paku 37 persona dhe lënduar rreth tre mijë të tjerë.
Shpërthimi i pajisjeve elektronike duket të jetë kulmi i një operacioni njëmujor të Izraelit për të shënjestruar sa më shumë anëtarë të “Hezbollahut” që ishte e mundshme përnjëherë. Për dy ditë me radhë pajisjet komunikuese “Pagerë” dhe radiolidhjet e përdorura prej “Hezbollahut”, shpërthyen duke vrarë e plagosur luftëtarë të grupit militant, por edhe civilë, përfshirë edhe fëmijë dhjetë e njëmbëdhjetëvjeçar.
Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë, por Libani akuzon agjentët e shërbimit inteligjent të Izraelit, Mossad, për futjen e eksplozivit në pajisjet elektronike që ishin blerë nga një kompani aziatike me seli edhe në Hungari. Zyrtarë të lartë të Izraelit kishin paralajmëruar për përshkallëzim të operacioneve kundër grupit militant libanez që po sulmonte territorin verior të Izraelit. Ushtria izraelite planifikon kthimin e mijëra izraelitëve në shtëpitë e tyre në zonën kufitare me Libanin.
Duke folur para trupave izraelite të mërkurën, ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se “jemi në fillim të një faze të re të luftës – ajo kërkon guxim, vendosmëri dhe vazhdimësi”. Nuk ka folur për sulmet në Liban, por ka thënë se është “impresive” puna që po kryejnë mekanizmat izraelitë të sigurisë dhe inteligjencës.
“Hezbollahu” ka bërë të ditur të enjten se ka shënjestruar tri pozicione ushtarake në Izraelin verior në afërsi të kufirit, duke i qëlluar dy prej tyre me dronë. Izraeli ka bërë të ditur se dronët janë rrëzuar afër komuniteteve. Spitalet rajonale kanë raportuar për trajtimin e së paku tetë pacientëve me lëndime të lehta. Ushtria izraelite ka bërë të ditur gjatë ditës se kishte qëlluar disa pozicione të grupit militant gjatë natës brenda territorit libanez.
Seria e re e sulmeve është shenjë e “Hezbollahut” se do të vazhdojë shkëmbimin e përditshëm të zjarrit për të treguar mbështetje për “Hamasin”. Lufta njëmbëdhjetëmujore e Izraelit me “Hamasin” nisi më 7 tetor pasi militantët palestinezë sulmuan Izraelin.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com