Yahya Sinwar - Foto: screenshot video/ CNN
Hezbollahu paralajmëron përshkallëzim lufte pas vrasjes së Sinwarit
Grupi militant libanez, “Hezbollah”, ka bërë të ditur të premten më 18.10.2024 se do të kalojë në një fazë të re dhe përshkallëzuese të luftës së tij kundër Izraelit, përderisa Irani ka thënë se “fryma e rezistencës do të fuqizohet edhe më shumë” pas vrasjes së liderit të “Hamasit”, Yahya Sinwar, raporton Reuters.
Sinwar, koka e sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael, është vrarë gjatë një operacion të ushtarëve izraelitë në enklavën palestineze të mërkurën, në një zhvillim kyç në konfliktin që ka bërë një vit.
Liderët perëndimorë kanë thënë se vdekja e tij është mundësi për t’i dhënë fund konfliktit, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se nuk do ta ndalë luftën derisa të lirohen pengjet izraelite në duart e “Hamasit”.
“Sot e kemi arritur qëllimin. Sot djalli ka pësuar një goditje, por detyra jonë ende nuk është kompletuar”, ka deklaruar Netanyahu në një video-xhirim pasi Izraeli konfirmoi të enjten vrasjen e liderit të “Hamasit”.
Familjeve të dashura të pengjeve u them: Ky ishte një moment i rëndësishëm i luftës. Ne do të vazhdojmë me gjithë forcën derisa të kthejmë të dashurit tuaj, të dashurit tanë në vendlindje”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka folur në telefon me Netanyahun për ta përgëzuar për operacionin për vrasjen e Sinwarit, ka thënë se vdekja e tij është mundësi për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për kthimin e pengjeve izraelite në vend.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com