Foto: Mediat sociale
“Hezbollahu” paralajmëron Izraelin me “ndëshkim meritor”
Grupi militant i Libanit, “Hezbollah”, ka akuzuar Izraelin për sulmet me pajisjet pager, me të cilat të martën (17.09.2024) nëntë persona mbetën të vdekur, duke paralajmëruar se do të hakmerret për “agresionin mëkatar”, raporton BBC.
Izraeli ende nuk i ka komentuar pretendimet e grupit libanez. “Hezbollahu” ka paralajmëruar “ndëshkim të drejtë” për Izraelin.
Së paku nëntë persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të pajisjeve të telekomunikimit me valë, të përdorura prej “Hezbollahut”, në Liban.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka thënë se 20 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore në spitale.
Një ekspert municioni i ka thënë BBC-së se pajisjet me gjasë ishin të mbushura me 20 gramë eksploziv të shkallës së lartë ushtarake.
Izraeli, i cili nuk i ka komentuar akuzat e fraksionit militant libanez, më oparë kishte thënë se synonte që t’i kthente banorët në veri të Izraelit pas sulmeve nga “Hezbollahu”.
Dhe sikurse raportin BBC, duket se pajisjet pager ishin modele “Gold AR-924”. Por themeluesi i prodhuesit elektronik tajvanez, “Gold Apollo”, ka mohuar se kompania e tij kishte ndonjë lidhje me pajisjet e komunikimit që shpërthyen në Liban.
Themeluesi Hsu Ching-Kuang ka thënë se kompania e tij kishte nënshkruar një kontratë me një kompani evropian për të prodhuar pajisjet dhe për përdorimin e emrit të kompanisë së tij. Ai ka thënë se para tri vitesh kishte arritur marrëveshje me kompaninë BAC në Evropë, duke ia dhënë të drejtën dizajnit dhe përdorimit të logos së kompanisë. “Gold Apollo” njofton se BAC tani është me bazë në Budapest në Hungari.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com