Foto: KALLXO.com

Hetuesit policorë dëshmojnë në gjykimin për vrasjen e punëtorit në Deçan

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet djali i pronarit të kompanisë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj.

Lidhur me këtë rast edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kishte dalë me një deklaratë, duke e quajtur si aksidentale vrasjen e Agonis Tetajt.

Deklarata e kryetarit Ramosaj nga familjarët e të ndjerit ishte parë si paragjykuese dhe ndikuese në hetimin dhe gjykimin e rastit.

Sot para trupit gjykues u dëgjuan hetuesit policorë të rastit.

Kryetarja  e trupit gjykues, Violeta Husaj Rugova, ka vendosur që të mos publikohen dëshmitë e hetuesve policorë dhe krim-teknikës, të cilët kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes.

Gjykatësja Husaj-Rugova konfirmoi se seanca është publike dhe monitorimi i seancave lejohet mirëpo me qëllim të mbarëvajtjes së procesit gjyqësor, dëshmitë mund të publikohen vetëm pas përfundimit të dëshmive të hetuesve policor.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.