Foto: Ilustrim

Hetimi - Virusë të shitur tek regjimet autoritare janë përdorur kundër gazetarëve dhe disidentëve

Disidentët politikë, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe gazetarët po spiunohen nga virusë të cilët i janë shitur regjimeve autoritare, ka zbuluar një hetim mediatik, shkruan Euronews.

Hetimi “Pegasus” bazohet në një listë me më shumë se 50,000 numra telefoni celular që besohet se ishin në shënjestër të një virusi nga Grupi NSO me bazë në Izrael listë kjo e cila ra në duart e organizatave jofitimprurëse me bazë në Paris Forbidden stories  dhe grupin e të drejtave të njeriut Amnesty International.

Malware i shkallës ushtarake infekton telefonët, duke i lejuar operatorit të ketë qasje në mesazhe, foto, email dhe të dhëna për vendndodhjen si dhe të kontrollojë fshehurazi mikrofonët dhe kamerat e pajisjes.

Një konsorcium prej 16 organizatash mediatike ishte në gjendje të identifikonte më shumë se 1.000 individë në 50 vende që dyshohet se ishin zgjedhur për mbikëqyrje të mundshme nga klientët e OST.

‘Mjet për frikësim’

Kjo listë përfshin më shumë se 600 politikanë dhe zyrtarë, dhjetra drejtues biznesi dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, disa krerë shtetesh dhe mbi 180 gazetarë, përfshirë Cecilio Pineda, një gazetar meksikan që mbuloi gjerësisht krimin, çështjet sociale dhe korrupsionin. Ai u qëllua për vdekje në mars të vitit 2017.

Gazetarët që punojnë për The Associated Press, Reuters, CNN, The Wall Street Journal, Le Monde dhe The Financial Times, gjithashtu figurojnë në këtë listë. Të paktën pesë gazetarë hungarezë gjithashtu besohet se janë spiunuar nga autoritetet.

Njerëz të afërt me Jamal Khashoggi, kolumnisti i Saudi Uashington Post i vrarë brutalisht në ambasadën Saudite në Stamboll në tetor të vitit 2018, janë gjithashtu në listë. Aty përfshihet edhe e fejuara e tij, Hatice Elatr, djali i tij, Abdullah dhe gruaja e tij, Hanan Elatr.

“Projekti Pegasus nxjerr në pah faktin se si programi spiun i NSO është një armë e zgjedhur për qeveritë shtypëse që kërkojnë t’i heshtin gazetarët, sulmojnë aktivistët dhe shkatërrojnë disidencën, duke vendosur jetë të panumërta në rrezik”, tha përmes një deklarate Agnes Callamard, Sekretarja e Përgjithshme i Amnesty International.

“Numri i gazetarëve të identifikuar si shënjestra ilustron në mënyrë të qartë se si Pegasus përdoret si një mjet për t’i frikësuar mediat kritike. Ka të bëjë me kontrollimin e narracionit publik, rezistimin ndaj vëzhgimit dhe shtypjen e çdo zëri kundërshtues”, shtoi ajo.

Shumica e numrave nga Lindja e Mesme dhe Meksika

NSO Group mohoi që të ketë mbajtur ndonjëherë “një listë të shënjestrave të mundshëm, në të kaluarën apo ndonjë listë ekzistuese”. Në një deklaratë të veçantë, ajo e quajti raportin e Forbidden Stories me “plot supozime të gabuara dhe teori të pavërtetuara”.

Kjo kompani i përsëriti pretendimet e saj se ajo u shet produktet e saj vetëm “agjencive qeveritare të verifikuara” për përdorim kundër terroristëve dhe kriminelëve të mëdhenj dhe se nuk ka asnjë qasje në të dhënat e klientëve të saj. Kritikët i quajnë ato pretendime të pandershme – dhe kanë dhënë prova se NSO drejtpërdrejt menaxhon spiunimin e teknologjisë së lartë. Ata thonë se abuzimi i përsëritur i Spyëare Pegasus vë në pah mungesën gati të plotë të rregullimit të industrisë private të mbikëqyrjes globale.

Burimi i informacionit – dhe mënyra se si është vërtetuar – nuk u zbuluan. Ndërsa prania e një numri telefoni në të dhëna nuk do të thotë se është bërë një përpjekje për të hackuar një pajisje, deklaroi konsorciumi duke shtuar se beson që të dhënat shpërfaqnin shënjestra të mundshme të klientëve të qeverisë së NSO.

Më shumë numra në listë, 15,000, ishin për telefonët meksikanë, me një pjesë të madhe në Lindjen e Mesme. Virusi i NSO Group është përfshirë në mbikëqyrjen e shënjestruar kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Meksikë. Arabia Saudite raportohet të jetë në mesin e klientëve të NSO. Gjithashtu në listë ishin telefonat në vende duke përfshirë Francën, Hungarinë, Indinë, Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Pakistanin.

 

Përkthimi: Nuhi Shala