Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. FOTO-REL

Hetimet ndaj Trump - Prokurorët e kundërshtojnë publikimin e provave të kërkimit

Agjentët e FBI-së e kontrolluan Mar-a-Lago për të zbuluar nëse Trump i ka trajtuar gabimisht të dhënat e qeverisë kur ai u largua nga detyra si President.

Ishte hera e parë që shtëpia e një ish-presidenti u bastis në një hetim penal.

Njëmbëdhjetë grupe dosjesh të klasifikuara u gjetën nga kontrolli i bërë një javë më parë në pronën në Palm Beach, sipas urdhrit, i cili u lëshua të premten.

Tani, disa organizata të lajmeve kanë aplikuar për t’a zbërthyer deklaratën e betimit e quajtur ndryshe affidavit (një deklaratë me shkrim e konfirmuar me betim ose pohim, për t’u përdorur si provë në gjykatë).

Mirëpo prokurorët thanë të hënën se një masë e tillë “do të shkaktonte dëme të konsiderueshme dhe të pariparueshme në këtë hetim penal në vazhdim e sipër”.

“Nëse zbulohet, deklarata e betimit do të shërbente si një udhërrëfyes për hetimin e vazhdueshëm të qeverisë, duke ofruar detaje specifike rreth drejtimit dhe kursit të mundshëm të tij, në një mënyrë që ka shumë të ngjarë t’i komprometojë hapat e ardhshëm hetimor” – shkruajnë ata në një dosje gjyqësore.

Ata thanë gjithashtu se deklarata duhet të qëndrojë e vulosur sepse hetimi përfshin “materiale shumë të klasifikuara”.

Të hënën, Trump tha se FBI mori tri nga pasaportat e tij gjatë bastisjes – një hap që zakonisht do të ndërmerrej vetëm nëse hetuesit e konsideronin një të dyshuar si rrezikon të largohet nga vendi.

“Ky është një sulm ndaj një kundërshtari politik në një nivel të paparë më parë në vendin tonë. Bota e Tretë!” Trump postoi në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.

Një burim i zbatimit të ligjit konfirmoi më vonë për CBS Neës – partneri amerikan i BBC-së – se pasaportat që i përkisnin Trump ishin marrë nga hetuesit më 8 gusht.

Në një email nga departamenti i drejtësisë drejtuar ekipit të Trump, një zyrtar ka thënë se  “ne kemi mësuar se agjentët e filtrimit morën tri pasaporta që i përkisnin Presidentit Trump, dy të skaduara dhe një ishte pasaporta e tij aktive diplomatike” – dhe se ato ishin vënë në dispozicion për marrje të hënën.

Raportet e mediave amerikane sugjerojnë se pasaportat tani janë kthyer.

Kërkimi i FBI-së ka shkaktuar një reagim të zemëruar nga aleatët e Trump, me shumë prej tyre që kërkojnë që deklarata e betimit të zbulohet publikisht.

Senatori republikan Mike Rounds i tha NBC të dielën se departamenti i drejtësisë duhet të tregojë se kjo nuk ishte thjesht një ekspeditë peshkimi, se ata kishin arsyet e duhura për të hyrë dhe për ta bërë këtë, se ata i kishin shterruar të gjitha mjetet e tjera paraprakisht.

Urdhrat e kontrollit zakonisht duhet të nënshkruhen nga një gjyqtar, pasi prokurorët ta kenë demonstruar se kanë arsye të mundshme për të besuar se një krim është kryer.

Urdhri i përdorur në bastisjen e Trump u bë publik të premten – një veprim shumë i pazakontë gjatë një hetimi penal, për të cilin Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se ishte në “interes të konsiderueshëm publik”.

Në dosjen gjyqësore të së hënës, prokurorët përmendën kërcënimet kundër FBI-së si një arsye tjetër për ta mbajtur nën betim nga opinioni publik.

“Informacioni për dëshmitarët është veçanërisht i ndjeshëm duke pasur parasysh natyrën e profilit të lartë të kësaj çështjeje dhe rrezikun që zbulimi i identitetit të dëshmitarëve do të ndikonte në gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me hetimin” – thuhet në dosjen e gjykatës.

FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare lëshuan një memo të premten mbrëma për zbatimin e ligjit në të gjithë vendin duke vënë në dukje një “rritje të kërcënimeve të dhunshme të postuara në mediat sociale kundër zyrtarëve federalë”./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala