Heshtje përballë akuzave

Avni Mehmeti, anëtari i Këshillit Gjyqësor nga Gjykata e Mitrovicës, ka kërkuar me ngulm nga kryesuesi Skender Çoçaj dhe anëtaret e KGjK-së, që t’i shtyjnë para e t’i vendosin urgjentisht në rend të ditës, disa çështje për të cilat ai tha se nuk mund të pritet më tepër, për shkak se në këtë mënyrë po shkelet Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Mehmeti para anëtarëve të KGjK-së, propozoi 7 pika të cilat kërkoi që gjithsecila të hedhet në votim në mënyrë që të gjithë anëtarët e KGjK-së të kenë mundësi të votojnë.

Caktimin e ushtruesve të detyrës së kryetarëve të Gjykatave në Prishtinë e Ferizaj, anëtari i KGjK-së Avni Mehmeti e konsideroi të kundërligjshëm.

“Ju në kundërshtim me rendin e ditës keni emëruar dy ushtrues të kryetarit të gjykatës. Kjo nuk ka qenë pikë e rendit të ditës, dhe nuk është miratuar si e tillë. Prandaj pa qenë në rend të ditës ju e keni hedh në votim dhe këtë e keni bërë në pjesën e mbledhjes së mbyllur, ndërsa sipas rregullores kjo çështje nuk duhet të diskutohet në pjesën ku takimi është i mbyllur, por duhet të bëhet hapur”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai më tej tha se propozimet për emërimin e këtyre ushtruesve të detyrës, kanë qenë vetëm të kryesuesit, pa marrë propozimin e anëtarëve të tjerëve, duke shtuar se sipas ligjit, do duhej që nënkryetarët e Gjykatave ta ushtrojnë funksionin e ushtruësve të detyrës së kryetarit, e jo të zgjedhën ushtrues të rinj.

“Prandaj kanë qenë të juajat, ju vetë i keni propozu, vetë i keni zgjedhë. Në kundërshtim me rregulloren keni emëruar ushtrues detyrash pasi sipas ligjit nuk mund të caktohen ushtrues detyrash për shkak se nënkryetarët e gjykatave e ushtrojnë funksionin e kryetarëve të gjykatave derisa të zgjidhen kryetarët”, ka deklaruar më tej Mehmeti.

Tutje Mehmeti propozoi që si pikë tjetër e rendit të ditës të vendoset çështja e hapjes së konkursit për 11 gjyqtarë mbikëqyrës, pasi që sipas tij gjyqtarët që aktualisht janë gjyqtarë mbikëqyrës nëpër degë, u skadon mandati me 16 mars 2021.

“Propozoj që të hapet konkursi për emërimin e 11 gjyqtarëve mbikëqyrës në disa degë të Gjykatave të Kosovës… Në rast se nuk hapet konkursi për këta 11 gjyqtar mbikëqyrës për emërimin e tyre nënkupton se ky këshill po shkel nenin 3 të rregullores. Unë u bëjë thirrje të hapet konkursi, në të kundërtën po vazhdojmë me e shkel rregullativën në fuqi”, tha Mehemti.

Mehemti po ashtu propozoi që si pikë e rendit të ditës të vendoset edhe çështja e hapjes së konkursit për emërimin e tre anëtareve të rinj të KGjK-së, për shkak se tashmë një ish anëtari të KGjK-së i ka skaduar mandati si dhe dy të tjerëve pritet që t’u skadoj mandati me 3 mars 2021.

“Nuk është hera e parë që unë kam kërkuar si anëtar i këshillit gjyqësor që të hapen pozita të lira për anëtarë të këshillit. Përveç kësaj nëse nuk e hapni konkursin për anëtarë të Këshillit, qysh tani ekziston një rrezik që Këshilli mund të jetë jo funksional në mungesë të kuorumit, nga 3 marsi 2021. Unë personalisht nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit sepse nuk dua të kontribuoj me u shkel ligji në vazhdimësi”, deklaroi më tej gjyqtari Avni Mehmeti.

Po ashtu Mehmeti kërkoi nga kryesuesi i KGjK-së që të raportoj para anëtareve të KGjK-së rreth mos aprovimit të plotë të buxhetit nga ana e Kuvendit të Kosovës.

“Në rast se buxheti i propozuar nga Ministria e Financave në Kuvend dallon nga ai i propozuar nga Këshilli, kryesuesi menjëherë i njofton anëtarët e Këshillit dhe propozon komente për t’i dërguar në Kuvend. Me 29 dhjetor 2020, Kuvendi ka miratuar buxhetin e vitit 2021, sipas informatave që unë kam nuk janë pranuar të gjitha propozimet e KGjK-së, ndërsa ju nuk na keni njoftuar se çka ka ndodh, duke mos i përmbushur detyrimet e juaja karshi gjyqësorit dhe karshi anëtarëve të KGjK-së”, tha Mehmeti.

Ai po ashtu para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësimin edhe lidhur me mos dekretimin e të gjithë kandidatëve të propozuar për gjyqtar të rinj.

Sipas Mehmetit, nga lista prej 27 kandidatëve janë emëruar 23, ndërsa 4 persona të tjerë nuk janë dekretuar nga zyra e presidencës, për çka tha se anëtarët e Këshillit nuk kanë dijeni.

“Është dashur që të na informoni se çka ka ndodhur me këtë proces, janë emëruar 23 gjyqtarë të rinj, nuk janë emëruar të gjithë apo nuk janë dekretuar të gjithë gjyqtarët që janë dërguar për dekretim te presidentja. Unë e kam kuptuar që 4 kandidatë nuk i ka dekretuar presidentja, andaj kërkojmë menjëherë të na informoni se përse këta katër kandidatë nuk janë dekretuar”, tha Mehmeti.

Po ashtu ai kërkoi të dijë se përse deri më tani nuk janë ftuar për raportim kryetarët e gjykatave, ashtu siç është e paraparë me rregullore.

“Kërkoj që të vendoset në rend të ditës kërkesa për diskutim se përse në vitin 2020 nuk i keni ftuar kryetarët e gjykatave për të raportuar para këshillit, ku sipas rregullores për organizimin dhe funksionimin e gjykatave përcaktohet shumë qartë se kryetarët e gjykatave janë të obliguar që të raportojnë para anëtareve të KGjK-së. Ju e dini mirë që sipas rregullores kryetarët e gjykatave janë të obliguar se jo më larg se në fund të janarit, ta dorëzojnë planin vjetor të punës dhe menaxhimit të lëndëve. Sot është data 26 janar deri më tani nuk kemi marrë asnjë plan të punës së gjykatave, është afati i fundit, është dashtë që ato raportet të dorëzohen në këshill, të publikohen në media e të bëhen zyrtare në KGjK”, tha më tej Mehmemti.

Ai në fund kërkoi edhe njëherë nga kryesuesi i KGjK-së që çdo propozim i tij të vihet në votim për diskutim si pika të rendit të ditës në mënyrë që të shihet se kush është duke e respektuar ligjin e kush është duke e shkelur.

Akuzave të shumta të Mehmetit, askush nuk i është përgjigjur, ndërsa mbledhja është duke vazhduar me diskutimin e  pikave të tjera të rendit të ditës.