Zhvillimet në PDK: Elmi Reçica e Xhavit Halit as nuk e kanë lexuar letrën me akuzat e Lirak Çelajt

Zyrtarë të Partië Demokratike të Kosovës, kanë hezituar të japin qëndrime lidhur me letrën publike të anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të Partisë, Lirak Çelaj lidhur me pakënaqësitë e këtij të fundit për gjendjen aktuale të PDK-së.

Anëtarë të kryesisë së kësaj partie, pasi janë kontaktuar nga KALLXO.com, kanë thënë se nuk e kanë lexuar letrën, përderisa të tjerë kanë qenë të paqsshëm.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, njëherësh deputeti i kësaj partie Elmi Reçica, ka thënë për KALLXO.com se nuk e komenton letrën e Çelajt.

“Nuk kam koment, nuk e komentoj letrën e Lirakut. Për arsye se as nuk e kam pa letrën dhe nuk e komentoj, është çështje që duhet të diskutohet brenda organeve të partisë”, është shprehur ai.

Ndërkaq, ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk e ka lexuar asgjë për këtë çështje.

“Jam në Tiranë. Nuk kam lexu asgjë”, ka thënë shkurt Haliti.

Edhe kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, si dhe anëtar i Kryesisë së PDK-së Shaqir Totaj ka thënë për KALLXO.com se nuk e ka parë letrën.

“Nuk kam qenë në Kosovë. Nuk e kam pa këtë letër, nuk di për të. Pasi nuk e kam lexu, nuk mund të komentoj asgjë”, është përgjigjur Totaj.

Dedhe deputeti i sapozgjedhur i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se nuk e ka lexuar letrën në fjalë dhe si rrejdhojë nuk mund të jap ndonjë qëndrim për të.

Lidhur me këto zhvillime, KALLXO.com ka kontaktuar edhe zyrtarë të tjerë të PDK-së, si Ablerad Tahirin, Memli Krasniqin, Blerta Deliu-Kodra, Uran Ismailin, dhe Sami Lushtakun, por ata kanë qenë të paqasshëm përmes telefonit.

Njëri prej themeluesëve të PDK-së, Lirak Çelaj sot i ka shkruar një letër publike kryetarit të partisë, Kadri Veselit.

Në letrën e tij Çelaj ka shkruar se është i shqetësuar me zhvillimet brenda kësaj partie, ku sipas tij me zgjedhjet e fundit brenda saj ka patur spastrim të figurave kyçe.

Çelaj ka shkruar se me drejtimin e Kadri Veselit, PDK është shndërruar në parti të ‘kullerëve’, duke i eliminuar figurat që sipas tij kanë punuar shumë për partinë.

PDK-ja me 29 dhjetor 2019, ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues, gjatë të cilës janë zgjedhur anëtarët e Kryesisë së partisë.

Anëtarë të Kryesisë së PDK-së janë: Kadri Veseli, Abelard Tahiri, Bajrush Xhemaili, Bedri Hamza, Betim Gjoshi, Blerta Deliu, Donjet Bislimi, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu, Fehmi Mujota, Floretë Zejnullahu, Hajredin Kuçi, Ilir Kurtishi, Luljeta Veseli-Gutaj, Memli Krasniqi, Migjen Kelmendi, Muzafer Shala, Safete Hadërgjonaj, Sami Lushtaku, Shaqir Totaj, Uran Ismaili, Valdete Idrizi, dhe Xhavit Haliti.

KALLXO.com ka raportuar se në mesin e 25 anëtarëve të Kryesisë së PDK-së, 8 prej tyre në zgjedhjet e fundit nacionale kishin kandiduar për deputetë, por nuk ia kishin dalë të merrnin besimin e qytetarëve për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, për herë të parë e kanë pozicionuar PDK-në në opozitë, përkatësisht në vend të tretë, pas LVV-së e LDK-së.