Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Heshtja e Hashim Thaçit ndaj ftesës së Speciales për Rexhep Selimin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka reaguar ndaj ftesës së Gjykatës Speciale për Rexhep Selimin.

Ndërkohë që kanë kaluar afro 5 orë që kur Selimi bëri publik lajmin për ftesën që ka marrë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar si i dyshuar, presidenti nuk ka reaguar siç vepron zakonisht kur bëhet fjalë për ftesat që marrin eprorët e lartë të UÇK-së.

Presidenti Thaçi nuk kishte vonuar për të reaguar pas njoftimit të Kadri Veselit se është ftuar nga Haga.

Thaçi reagon pas thirrjes së Gjykatës Speciale për Kadri Veselin

Po ashtu, Hashim Thaçi kishte reaguar edhe kur ishte ftuar Jakup Krasniqi.

Ndërkohë që nuk dihet mungesa e reagimit, presidenti Thaçi ka udhëtuar sot për në Paris ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes të organizuar nga presidenti Macron.

Miq në kohën e luftës, Hashim Thaçi e Rexhep Selimi do të ndanin rrugët në kohën kur do t’i hynin politikës.

Përderisa Thaçi është një prej themeluesve të PDK-së, Rexhep Selimi ishte bërë pjesë e AAK-së, për të kaluar më pas në Lëvizjen Vetëvendosje.

Si deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Selimi e kishte kundërshtuar ashpër idenë e shtyrë përpara nga Thaçi, atëherë kryeministër, dhe partia e tij – PDK, për miratimin e themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merrej me krimet që pretendohet të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.

VIDEO: Fjalimi i Rexhep Selimit në Kuvend kundër themelimit të Gjykatës Speciale

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, numri i luftëtarëve të thirrur për intervistë është rreth 100.

Megjithatë, Gjykata ende nuk ka ngritur aktakuza.

Nasim Haradinaj: Shumë shpejt do të ketë arrestime nga Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së Specializuar, janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, katër vite më parë, pikërisht më 3 gusht 2015, kanë votuar pro ndryshimit të amendamentit kushtetues, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera për Specialen.

Opozita ishte ajo që u tregua më e zëshmja në kundërshtimin e themelimit të Gjykatës Speciale, duke e quajtur të padrejtë, selektive dhe e cila do ta cenojë sovranitetin e vendit. Qeveria dhe pozita e quajtën të padrejtë këtë votim, por të domosdoshme për t’i hequr dyshimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e fundit.

Abelard Tahiri konfirmon: Jam ftuar nga Gjykata Speciale

www.kallxo.com