Hesht në gjykatë Kadri Rexhepi i akuzuar në rastin për mashtrim

Kadri Rexhepi ka zgjedhur të mbrohet në heshtje për akuzat për mashtrim.

Gjykata e Prishtinës po e gjykon Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën akuzat për mashtrim ndaj Faton Dalladakut duke u paraqitur si njerëz të afërm të ish-Kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe ish-deputetit të PDK-së Xhavit Halitit në përpjekje për ta ndërtuar një spital në Prishtinë.

Avokatja e tij, Arbnora Shefkiu e cila tha se Rexhepi kishte vendosur që të mbrohet në heshtje meqenëse i njëjti, sipas saj, kishte dhënë një deklaratë në organet e hetuesisë e po ashtu edhe për shkak të moshës dhe gjendjes së tij shëndetësore jo të mirë.

Mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan shtyrjen e seancës, për paraqitjen e fjalës përfundimtare ngase të njëjtit nuk ishin përgatitur për atë dhe për më tepër ata konsideruan se lënda është voluminoze.

Po ashtu, as pala e dëmtuar nuk ishte e gatshme për të vazhduar me fjalën përfundimtare.

Propozimin e mbrojtësve, nuk e kundërshtoi as prokuroja e shtetit Rukije Shashivari, e cila deklaroi se fjalën përfundimtare do ta paraqes në seancën e radhës.

Kështu që gjyqtarja Medie Bytyqi, e mbështeti këtë propozim duke shtyrë seancën për datën 24.02.2020, në orën 9:00

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

Rrahim Hashimi: Asnjë cent s’është kërkuar apo marrë në emër të Kadri Veselit e Xhavit Halitit