Foto: Ilustrim

Heronjtë e ujit

Banorët e fshatit Biti e Poshtme të Shtërpcës, nga të dy komunitetet tash e 6 vite janë në luftë të vazhdueshme për të ruajtur lumin e natyrën që ka ky lokalitet.

Që nga 2015, banorët e Bitisë së Poshtme, shqiptarë e serbë janë angazhuar me protesta të vazhdueshme për të ruajtur lumin që të mos futet në gypa për ndërtimin e hidrocentraleve.

Agron Rushiti e Jovica Stanetoviq janë nga i njëjti fshat, por me kombësi të ndryshme. Njëri shqiptar e tjetri serb, por kjo nuk i ka penguar për të kundërshtuar futjen e lumit në gypa.

“Kur kemi dëgjuar që do të filloj ndërtimi i hidrocentralit, ne nuk kemi lejuar që të na marrin lumin dhe kemi filluar protestat. Kanë bërë çfarë kanë dashur dhe askush nuk mund t’u bëjë asgjë. Ne jemi kundër asaj”, thotë Jovica Stanetoviq.

Agron Rushiti thotë se rezistencën 6 vjeçare, që kanë pasur për ta mbrojtur natyrën nga njerëzit, siç i quan ai, ‘të egër’.

“Me i mbrojt prej njerëzve vulgar e të egër. Sepse natyrën që e kemi pasur ne, e kanë dëmtuar. Kanë bërë masakër ndaj natyrës”, thotë Agron Rashiti.

“Këtë bukuri e kanë shndërruar në shëmtirë. Thënë më thjesht, kanë bërë varreza”, thotë Jovica Stanetoviq.

“Nuk na kanë marrë veç ujin, por edhe jetën”, shprehet Stanetoviq.

Sot, Agronit i duhet që çdo ditë të shkoj rreth 5 kilometra larg shtëpisë së tij, për të marrë ujë të pijshëm.

Agroni e Jovica tregojnë se në këtë lum, në të kaluarën, ka pasur lloje të ndryshme të peshkut, por që sot nuk ekzistojnë.

Investitorët për të futur në lum gypat e mëdhenj deri në dy metra gjerësi, i kanë prerë edhe drunjtë që kanë qenë të vjetër deri në 200 vjet.

Banorët e Bitisë së Poshtme i kanë bërë ballë edhe presioneve të ndryshme. Ata thonë se kanë vazhduar kundërshtimin përkundër se u ishin ofruar edhe të holla për ta shuar rezistencën.

 

Kjo seri e artikujve për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)