Heqja e reciprocitetit, MCC rifillon zbatimin e projekteve për Kosovën

Korporata e Sfidave të Mileniumit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) përmes një deklarate, ka mirëpritur heqjen e reciprocitetit nga Kosova për produktet e Serbisë.

MCC me këtë rast ka bërë të ditur se do të rifillojë implementimin e projekteve në Kosovë, për zhvillim ekonomik, të cilat i kishte pezulluar në mars të këtij viti për shkak të tarifës 100 për qind.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjes së tarifave të Kosovës dhe heqjen e masave reciproke për mallrat serbe. MCC është e kënaqur që të rifillojë zbatimin ‘threshold program’ dhe zhvillimin e programit të propozuar kompakt në Kosovë. MCC pret një partneritet të vazhdueshëm, të fortë me popullin e Kosovës dhe qeverinë e tyre ndërsa ne punojmë së bashku për të zvogëluar varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në këtë deklaratë.

Korporata e Sfidave të Mileniumit në mars 2020, kishte pezulluar implementimin e disa projekteve të financuara nga ShBA-ja në Kosovë.

Kjo ishte bërë për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës në atë kohë që ta  largojë në mënyrë të menjëhershme tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Por Qeveria Kurti muaj më pas kishte hequr tarifën dhe kishte vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Ndërkaq,

Qeveria Hoti sot në mbledhjen e saj ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm sot, duke hequr pengesat e dialogut. Ne presim të njëjtën gjë nga pala serbe që t’i hiqen pengesat, e të vazhdojmë tutje”, ka deklaruar kryeministri Hoti.

Këtë vendim e kanë përshëndetur SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.