Helmimi i ujit në Deçan, Prokuroria nuk gjen prova për dy serbët e identifikuar

Dy personat e nacionalitetit serb që ishin përfolur se kanë të bëjnë me helmimet nga uji në Deçan, nuk janë të përfshirë në këtë rast.

Kështu ka deklaruar prokurori i rastit, Dorjan Juniku sot në konferencë për media.

“Në kohën kur janë identifikuar dy personat e nacionalitetit serb, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet dhe kemi punuar me një kujdes të shtuar dhe me një profesionalizëm të lartë, ku kemi bashkëpunuar ngusht me organet e sigurisë, mirëpo në fund ka rezultuar se të njëjtit nuk janë të involvuar në rastin në fjalë”, tha prokurori.

Mediat kishin raportuar se dy qytetarë serb ishin parë në drejtim të Manastirit të Deçanit, në kohën kur numri i qytetarëve të Deçanit që kërkonin ndihmë mjekësore ishte rritur, nën dyshimet për helmim të ujit.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte njoftuar se pasi kishte pranuar informatën, i kishte identifikuar dy personat, të nacionaliteti serb.

Prokuroria kishte deklaruar se do të verifikohej nëse të njëjtit kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar në komunën e Deçanit.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, më shumë se 1,500 persona nga fshatra të Deçanit dyshohet se u helmuan nga uji i pijes.

Qytetarët  kanë pasur diarre, marramendje, molisje e vjellje. Qytetarët ishin nga fshatrat e Deçanit: Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, në lidhje me dyshimet për helmimet që kanë ndodhur nga uji, vitin e kaluar në Deçan.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëje me helmimet e 1,500 qytetarëve të Komunës së Deçanit dhe fshatrave përreth ngritet aktakuzë kundër dy zyrtarëve të ‘Hidororini’ në Pejë, drejtorit të departamentit përkatës për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mosevitimi i rrezikut”, tha prokurori Dorjan Juniku në një konferencë për media të hënën.

Prokurori ka shtuar se 872 qytetarë kanë pas simptoma për helmim nga uji i pijshëm. Ai shtoi se uji ka pasur bakterie dhe nuk ka pas testime ose testime shumë të pakta të kontrollit të ujit.

Helmimet nga uji në Deçan, ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Hidrodrini” në Pejë