Çezme - Foto: KALLXO.com

Helmimi i banorëve të Deçanit, Ramadani: Rezultatet e para thonë se s'ka kontaminim të ujit

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në një konferencë për media ka bërë të ditur se nga rezultatet e fundit fiziko-kimike të ujit të pijshëm në disa fshatra të Deçanit ka rezultuar se nuk ka tejkalim të vlerave normale të përcaktuara të standardeve.

Ramadani po ashtu tha se për rezultatet definitive duhet të pritet 24 deri në 48 orë.

“Ne kemi vazhduar gjurmimin e shkaqeve dhe deri në momentin e fundit kemi nxjerrë rezultatet e dyta të analizave fiziko-kimike duke marrë mostrat në hyrje të qytetit, në dalje të qytetit dhe analiza fiziko-kimike ka rezultuar pa tejkalim të vlerave normale të përcaktuara me standarde sipas udhëzimit admnistraitv”, tha Ramadani në një konferencë për media.

Ai shtoi se nga mostrat e marra në fshatrat Gramaqel dhe Gllogjan shfaqen disa koloni të dyshimta në baktere kolifore, të cilat sipas tij, nevojitet hulumtim laboratorik nëse ka infeksion dhe për përfitimin e rezultateve përfundimtare duhet hulumtim 24 deri 48 orë të ardhshme.

Ramadani po ashtu tha se nga anketimi i qytetarëve kanë kuptuar se ka persona që nuk e kanë konsumuar fare ujin e ujësjellësit “Hidrodrini” dhe i janë shfaqur simptoma.

“Ka anëtarë të familjeve që edhe pse kanë konsumuar ujin e njëjtë s’kanë shfaqur probleme shëndetësore, por ka edhe persona me shqetësime të ngjashme por s’janë nga fshatrat që furnizohen me ujin e qytetit”, tha ai.

Drejtori i IKShPK po ashtu tha se ka raste kur edhe gjatë qëndrimet në bjeshkë u janë shfaqur simptoma të helmimit.

“Kemi marrë informata se qytetarët që kanë qëndruar në bjeshkë kohëve të fundit pa asnjë kontakt të ujit kanë shfaqur probleme shëndetësore të ngjashme”, tha Ramadani.

Ndërsa, zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, theksoi se qytetarët e helmuar nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim dhe se të gjithë janë në gjendje të mirë.

“Lajmi i mirë është se qytetarët që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Deçan nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Sipas procedurave, IKShPK menëjherë ka marrë mostrat në 6 fshatrat në mënyrë që të konstatohet shkaqet e helemimit të qytetarët”, tha ajo më tej derisa u zotua se MSh do të bëjë çmos që të zbulojë burimin e helmimit.

Gjatë ditëve të fundit qindra qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e këtij qyteti. Dyshimet e para janë për helmim të ujit të pijshëm që e furnizon ujësjellësi “Hidrodrini”.