Ilustrim

Helmimi i 16 nxënësve nga ushqimi në Lipjan, AUV jep detaje

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dhënë detaje lidhur me dyshimet për helmimin e disa nxënësve të shkollave të mesme dhe fillore në fshatin Shalë të komunës së Lipjanit të cilët dyshohen se u helmuan nga ushqime fast food-i më datë 5 nëntor.

AUVK në një përgjigje për KALLXO.com ka shpjeguar se janë njoftuar se rreth 16 ose më shumë nxënës kanë shenja të helmimit dhe dyshohet se është shkaktuar nga konsumi i produkteve ushqimore tosta.

“Sipas intervistimit dhe informatave të marra nga nxënësit dyshohet se është shkaktuar nga konsumi i produkteve ushqimore tosta që janë përgatitur biznesi “E…….” në Rr.Brigada 121” në fsh. Shalë (biznes i pa regjistruar). Menjëherë me datë 05.11.2021  kemi dërguar trupën inspektuese për kontroll dhe hulumtim të rastit. Fillimisht është konstatuar se tostat ishin të përgatitura nga pershuta dhe sos të përgatitur nga vet kuzhina ishin me përbërje të vezëve, vajit dhe mëlmesave. Në kushtet teknike higjiene sanitare ka pasur mangësi. Nuk ka poseduar dëshmi të kryerjes se D.D.D-së si masë obliguese ligjore”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në përgjigjen e AUVK thuhet se lokali është mbyllur menjëherë deri në nxjerrje të rezultateve dhe përmirësim të urdhëresave të inspektorit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shpjeguar se më 29 dhjetor mostrat kanë rezultuar pozitive dhe nga 9 strishot e marra, në 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive këto baktere.

“Strisho nga luga e punës në Esheria Col, Strisho nga pajisja për prerjen e përshutës Esheria Col. Ndërsa nga 2 mostrat e ushqimit,  sos për sanduiq-refuz ka rezultuar pozitiv në Salmonell”, thuhet në përgjigje.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në mandatin ligjorë, sipas të dhënave të mbledhura nga inspektimi dhe rezultatet laboratorike ka iniciuar fletëparaqitje për gjykatë ndaj operatorit ekonomik. Për shkelje të dispozitave ligjore të ligjit të ushqimit”, ka shtuar AUVK.

 

Disa nxënës në Lipjan dyshohet se janë helmuar nga ushqimi