Helen Wormser - Fondacioni ‘Straycoco’

Helen Wormser tregon si duhet vepruar kur ndiheni të rrezikuar nga qentë endacakë

Ekspertja e trajtimit të kafshëve shtëpiake, Helen Wormser, e cila merret me këtë veprimtari në Kosovë që nga viti 2015, sidomos me trajtimin e qenve endacakë, tha se në Gjermani policia shkon në shkolla dhe informon fëmijët se si të sillen me qentë në rrugë.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” përmendi disa raste të sulmeve nga qentë në qytete të ndryshme në Gjermani.

“Ne kishim sulmin nga një qen Pitbull në Hamburg, pesë vite më vonë e njëjta ndodhi në Cyrih, familjet ishin të frikësuara. Nënat u trembën për fëmijët e tyre, bile ishte rasti i një fëmije pesëvjeçar turk që u vra nga pitbulli në Cyrih, a mund ta imagjinoni këtë, pra u vra nga një pitbull i vjetër që nuk ishte në zinxhir”- tha ajo.

Sipas saj, fëmijët nuk duhet të vrapojnë pasi qeni e merr si mesazh për të luajtur më të.

“Policia shkon nga shkolla në shkollë dhe u shpjegon fëmijëve sapo që të jenë në gjendje që të kuptojnë se si duhet të sillen me qenin që nuk është në zinxhir, sepse ka disa shenja që fëmijët i japin një qeni. Qentë janë të gjithë kafshë gjuetie, pra çdo qen sulmon. Nëse një fëmijë bën veprimin e parë dhe fillon të vrapojë, atëherë menjëherë qeni do të vrapojë pas tij, qoftë fëmija në biçikletë, apo siç e quani ju në një trotinet, ata do të vrapojnë pas sepse ky është veprim ndoshta vetëm për argëtim dhe nuk do të thotë gjithmonë që do të kafshojnë”- shtoi më tej Wormser.

Wormser theksoi se përpos që nuk duhet vrapuar në prani të qenve, nuk duhet as të bërtisni e mos t’i shikoni qentë drejt në sy.

Sipas saj, ka raste kur qentë sulen edhe kur shohin që ke bukë në dorë.

“Nuk duhet të vraponi, nuk duhet të bërtisni rreth qenve, duhet të ecni të qetë dhe ne gjithashtu këshillojmë që nuk duhet shikuar qentë drejt e në sy, e kemi këtë me të vërtetë seriozisht, sepse nëse ju e shikoni qenin, ai mendon: hej, ata po kërkojnë diçka nga unë. Prandaj, duhet të mbani distancë kur ta shihni qenin. Për më tepër, shumë fëmijë kanë bukë ose hanë dhe qentë janë të uritur e duan të marrin bukën. Kjo nuk do të thotë që qeni është agresiv, por është i uritur. Më ka ndodhur edhe mua, kështu që e di për çfarë po flas”- shtoi ajo.

Kurse, në rastet kur ka tufa të qenve në rrugë, sipas ekspertes Helen Wormser, është më e vështirë për ata që kanë shumë frikë.

Sipas saj, hedhja e qenve në rrugë duhet të ndalet sa më shpejt.

“Sa i përket tufës së qenve, nuk do të thosha për një person normal, por për një person që ka frikë nga qentë, është shumë, shumë e vështirë, prandaj kjo hedhje e qenve duhet të ndalet”- tha Wormser.