Qeveria Kurti- Foto:ZKM

Hekuran Nikçi emërohet kryeinspektor i Inspektoratit të Punës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në komunikatën e Qeverisë bëhet e ditur se Nikçi është emëruar në këtë pozitë për një mandat 4 vjeçar.

“Me vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e sotme, me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është emëruar Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Republikën e Kosovës. Sipas vendimit, z. Hekuran Nikçi është emëruar në këtë pozitë për një mandat katër vjeçar”, thuhet në njoftim.

Kryeinspektori i emëruar sipas këtij vendimi do të kryejë detyrat dhe funksionet e përcaktuara me Ligjin për inspektoratin e punës.

Nikçi ishte emëruar në bordin e Telekomit të Kosovës në vitin 2020, gjatë Qeverisë Kurti I.

Në CV-në e siguruar në atë kohë nga KALLXO.com, shihet se Hekuran Nikçi, ka një përvojë në disa fusha.

Në përshkrimin e tij në CV thuhet se ka punuar në Divizionin e Mobilizimit të Resurseve, po ashtu si Auditor i Përformancës, Profesionalist i Pasurive të Patundshme, Bankier.

Nikçi ka përvojë disavjeçare edhe në Amerikë në disa sektorë ndërsa, në vitin 2006 ai ka punuar edhe në Kuvendin e Kosovës, si praktikant.

Hekuran Nikçi ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në “Barkley College” të ShBA-së në vitin 2013 ndërsa, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë në “Swansea University”, në Angli.