Hekuran Murati: Secili qytetar që merr të ardhura që nuk tatimohen t’i deklarojë në formularin e ATK-së

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati përmes një konference ka thënë se secili qytetar i cili merr të ardhura gjatë vitit të cilat nuk tatimohen, duhet t’i plotësojë në formularin e atë ardhurave personale të Administratës Tatimore të Kosovës.

“Arsyeja pse kemi thirr këtë konferencë ka të bëjë me deklaratën tatimore që duhet të plotësohet nga secili qytetar, shtetas i Kosovës, që gjeneron të hyra gjatë vitit, të cilat nuk tatimohen në burim, siç ndodhë me pagën. Pra, bëhet fjalë për plotësimin e deklaratës në të ardhura personale, që sipas ligjit duhet të plotësohet nga të gjithë ata që kanë pasur të ardhura gjatë vitit paraprak e për të cilat nuk është paguar tatim”, ka thënë Murati.

Ai tha se ata që kanë pagë të rregullt, tatimi u ndalet në burim dhe nuk kanë nevojë të plotësojnë këtë formular, ky i fundit vlen për rastet si qiraja, ku nuk ndalet tatim në burim.

“Ata që marrin pagën e rregullt, tatimi u ndalet në burim, pra nuk ka nevojë që ta plotësojnë këtë deklaratë, por nëse ka të ardhura tjera, si ato nga qiratë ku nuk ndalet tatim në burim, duhet të plotësoni këtë formular, që është elektronik”, shtoi tutje Murati.

Të ardhura tjera, sipas Muratit janë çdo fitim kapital i cili duhet të deklarohet në këtë formular dhe më pas të tatimohet.

“Përpos qirave, e ardhura tjetër është nga fitimi kapital që duhet të tatimohet dhe të deklarohet në këtë formular, këto përfshihet çdo fitim që mund të jetë gjeneruar nga shitblerja e paluajtshëmrisë, letrave me vlerë apo kriptovalutave”, ka thënë ministri.

“Psh, nëse një pronë është ble 50 mijë euro dhe shitet 70 mijë euro, por fitimi kapital është 20 mijë euro, duhet të deklaroheni”, ka thënë ai.

“Ngjashëm llogaritet edhe në rastet kur këmbehet tokat, që po ashtu fitimi kapital duhet të deklarohet. Shitja e letrave me vlerë e kriptovalutave po ashtu konsiderohet fitim kapital, fitmi duhet të deklarohet”, ka thënë ministri Murati.

Hekuran Murati bëri të ditur se të ardhurat me burime nga jashtë po ashtu duhet të deklarohen si ato nga Freelance, Youtube e rrjete tjera sociale.

“Të ardhurat me burim nga jashtë si ajo free lancer, edhe këta janë të obliguar të deklarojnë të ardhurat e tyre dhe të paguajnë tatim në 10% të vlerës. Të ardhurat nga youtube e rrjete sociale po ashtu duhet të shënohen në këtë deklaratë të të ardhurave personale”, shtoi tutje Murati.

Të gjithë ata që kanë pas të ardhura të tilla duhet të hyjnë në faqen e ATK-së, platforma EDI, për të plotësuar këtë deklaratë.