Hekuran Murati: Problemet ekonomike nuk qëndrojnë te individi, por te subjekti politik

Hekuran Murati, ish- aktivist i shoqërisë civile ka thënë se gabimet në sistemin e ekonomisë dhe financave qëndrojnë te subjekti politik dhe modeli qeverisës dhe jo te individi.

Murati ka thënë se qeverisjet e kaluara kanë gabuar kur kanë koncentruar buxhetimin vetëm në të hyra duke mos i llogaritur shpenzimet e parasë publike.

Po ashtu, Murati ka shtuar se në kohën kur Ministria e Financave është udhëhequr nga Besim Beqaj, bilanci bankar ka arritur pikën kritike, për shkak se kjo ministri kishte rritur pagat për çështje elektorale.

Sa më shumë që prodhon, të lakmohet më tepër dhe nuk mendoj që klasa aktuale e politikanëve kanë me u ngi. Puna e ministrit të Financave është sikur puna e zjarrfikësit. Atë gjëra të dëmshme që i bën Qeveria, ministrat e Financave mundohen me ndalë zjarr kudo ku është duke ndodhur. Problemi qëndron te mentaliteti qeverisës sepse buxhetimi nuk është vetëm me i rritë të hyrat, por është edhe qysh e shpenzon paren publike. Kur e pat lënë ministri Besim Beqaj ministrinë e Financave, bilanci bankar pat ardhë në pikë kritike. Kjo sepse i patën rritë pagat para zgjedhjeve vetëm për çështje elektorale. Rritja e pagave në sektorin publik bëhet për 80 mijë persona, por bëhet në kurriz të dy milionë personave të tjerë”, ka thënë Murati.

Sipas Muratit pesëfishimi i rritjes së pagës në sektorin publik i dëmton punëtorët e sektorit privat dhe të papunët për shkak të rritje së çmimeve për produkte të konsumit.

“Sipas statistikave prej vitit 2012 deri në vitin 2018, pagat në sektorin privat janë rritur veç 30 euro kurse në atë publik 160 euro. Pagat duhet të rriten aq sa kemi produktivitet kombëtar. Kur rriten pagat vetëm në sektorin publik i dëmton të gjithë ata punëtorë të sektorit privat dhe ata të papunët për shkak se krijon inflacion, rriten çmimet sepse i zvogëlohet shporta e konsumit. Te ministrat e LDK-së është se vërtetë e kanë marrë ministrinë në një pikë kritike dhe kanë arritur që përmes kursimeve sepse e ka rritur bilancin bankar, por nuk ka pasur ndryshme substanciale në modelin qeverisës sepse tek e fundit kanë qenë në qeverisje me PDK-në, duke u koncentruar në ndarjen e bordeve të ndërmarrjeve publike”, ka shtuar ai.