Hekuran Murati - LDK-së: Leni kushtëzimet, t’ia fillojmë punës!

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit është zgjedhur deputet i Kuvendit, ka kërkuar nga LDK që të ndalë kushtëzimet për postin e presidentit dhe të fillohet me formimin e qeverisë.

Sipas tij, qeveria e re do të duhej të formohej ditë më parë në mënyrë që të fillohej edhe me punën.

“Po hyjmë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar. Qe 10 dite është dashtë tashme me e pas qeverinë e re dhe me fillu zgjidhjen e problemeve te shumta e emergjente qe na presin”, ka shkruar Murati në facebook.

Murati ka thënë që nuk duhet të merren me postin e presidentit pasi që sipas tij ende ka kohë.

“Na është imponuar një problem, i paqenë, që pengon formimin e qeverise – përcaktimi për postin e presidentit, diçka që ndodhë tek në vitin 2021. Leni kushtëzimet, e t’ja fillojmë punës!

Të hënën ka qenë takimi i fundit mes liderëve të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), mirëpo ky takim u mbyll pa arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Ndonëse pas takimit si Kurti ashtu edhe Mustafa u deklaruan se ka përafrime të qëndrimeve, mirëpo që i duhet edhe një takim për të arritur marrëveshjen.

Një takim i radhës mes Kurtit dhe Mustafës ende nuk është paralajmëruar, përderisa sipas njohësve të çështjeve politike në vend, posti i presidentit është bërë ‘mollë sherri’ për këto dy parti.

Dy muaj pas zgjedhjeve, në pritje për formimin e institucioneve të reja