"Heimerer" të pakënaqur me mos akreditimin e një programi, padisin AKA-në

Agjencia e Kosovës për Akreditim është paditur nga Kolegji “Heimerer” për mos akreditimin e një programi të nivelit Master në vitin 2018 nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Heimerer” është e mendimit se AKA ka vepruar jashtëligjshëm, ka bërë shkelje të rregullave procedurale administrative dhe shkelje të ligjeve në fuqi për mos akreditimin e programit të nivelit Master “Menaxhimi i institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore”.

Pas dorëzimit të kësaj padie, Gjykata Themelore më 26 tetor ka nxjerrë aktvendim duke kërkuar nga ana e Agjencisë së Kosovës për Akreditim që të japë përgjigje në padi dhe pritet që të fillojë procesi gjyqësor.  Ndërsa, AKA ka dhënë përgjigje duke theksuar se ka vepruar në bazë të kritereve të përcaktuara sipas ligjeve.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), si organ vendimmarrës për akreditimin e programeve të institucioneve të arsimit të lartë, në qershor të vitit 2018 kishte refuzuar akreditimin e programit Master “Menaxhimi i institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore”.

Pretendimet e Kolegjit “Heimerer”

Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Themelore, Kolegji Heimerer ka theksuar se vendimi i KShC-së që të mos akreditohet programi “Menaxhimi i institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore” është i jashtëligjshëm.

““Kundër vendimit në përputhje me afatet kohore është paraqitur ankesë, ndaj së cilës ankesë organi administrativ nuk ka nxjerrë fare akt administrativ(heshtje administrative). Brenda afateve kohore, ligjore për shkak të refuzimit të organit të shkallës së dytë të nxjerrë në vendim në lidhje me ankesën, paraqitet kjo padi për konflikt administrativ në përputhje me nenin 14 dhe 29 të Ligjit për Konflikt Administrativ”, thuhet më tej.

“Heimerer” ka shtuar se edhe pas kësaj, vendimi i KShC-së ka mbetur në fuqi dhe sipas palës paditëse, asnjë prej fakteve të konstatuara nuk janë të vërteta dhe të sakta dhe vendimi është marrë në kundërshtim me rekomandim të ekspertëve ndërkombëtarë, që bëjnë vlerësimin e programeve.

“Efekti i këtij vendimi të paligjshëm është shuarja e një programi të zhvilluar me programin TEMPUS të Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Universitetin e Munsterit në Gjermani, Universitetit Hall-Tirol, Austri dhe Universitetin e Mariborit në Slloveni”, thuhet më tej në padinë e siguruar nga KALLXO.com.

Pretendimet e AKA-së

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në vendimin e 14 qershorit të vitit 2018 kishte dhënë arsyet e saj për mos akreditim të këtij programi.

“Anëtarët e KShC kanë gjetur se Kolegji “Heimerer” ka ofruar listat të stafit me emra të njëjtë, sic është rasti i prof.Gazmend Bojaj, i cili paraqitet si bartës edhe në programin Pedagogji Profesionale në Shëndetësi/Fushë Profesionale e Infermierisë BSc 180 ECTS. Kjo sipas tyre paraqet shkelje të kritereve ligjore që derivojnë me Udhëzim Administrativ, i cili ka qenë në fuqi në kohën e vlerësimit, sipas të cilit një bartës i programit duhet të vendoset vetëm në një program studimi”, thuhej në vendimin e KShC.

Këtë e ka cekur edhe Agjencia e Kosovës për Akreditim në përgjigjen për padi të dhënë për Avokaturën Shtetërore.

“Kolegji Heimerer ka dorëzuar tabelën më shpërndarje të stafit akademik për programet e studimit përfshirë këtu programet: 1. Pedagogji profesionale në Shëndetësi dhe 2. Menaxhimi i Institucioneve dhe Shërbimeve Shëndetësore… Kolegji ka paraqitur si bartës të programmit të Pedagogjisë profesionale në Shëndetësi këta persona: Gazmend Bojaj, Arber Neziri dhe Muljaim Kacka”, thuhet në përgjigjen e AKA-së.

Sipas tyre, raporti i ekspertëve ka qenë në kontradiktë, pasi ka qenë pozitiv në rekomandim por negativ në përmbajtje.

“Raporti i ekspertëve për programin Menaxhimi i institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore ka qenë pozitiv në rekomandim por negativ në përmbajtje, që gjë bie në kontradiktë me standardet dhe praktikat e AKA-së. Për më tepër programi dështon të përmbushë kriteret ligjore të cilat dalin nga UA neni 11, paragrafi 3.2 rreth mbulueshmerisë me PhD”, thuhet më tej.

AKA thekson se kjo vërtetohet edhe në padinë e Kolegjit “Heimerer” të cilët sipas tyre, e pranojnë se Rushit Jashari ka ndërruar institucion, ndërsa kolegji nuk ka mundur ta zëvendësojë atë, pasi që Gazmend Bojaj ka qenë i vendosur si bartës i programit në programin “Pedagogji profesionale në Shëndetësi/Fushë Profesionale e Infermierisë BSc”.

Në anën tjetër nga ana e Avokaturës Shtetërore kanë bërë të ditur për KALLXO.com se kanë dorëzuar në Gjykatë përgjigjen në padi dhe janë duke pritur thirrjen nga gjykata për seancë gjyqësore.

KALLXO.com po ashtu ka dërguar pyetje në drejtim të Gjykatës Themelore për të marrë informacion nëse është caktuar seancë gjyqësore dhe është duke pritur përgjigje.