Flamujt e Iranit dhe të Izraelit, Ilustrim: Pixabay
Hebrenjtë izraelitë që spiunuan për Iranin në infiltrimin më të madh ndër dekada
Arrestimi nga Izraeli i pothuajse 30 personave, shumica qytetarë hebraikë, të cilët dyshohen për spiunim për Iranin në nëntë celula, ka shkaktuar alarm në vend dhe ka spikatur përpjekjen më të madhe të Teheranit ndër dekada për t’u infiltruar brenda armikut më të përbetuar të tij, kanë konfirmuar për agjencinë Reuters më 11.12.2024 katër burime të ndryshme të sigurisë izraelite.
Në mesin e qëllimeve të parealizuara të celulave të dyshuara ishte vrasja e një shkencëtari izraelit dhe ish-zyrtarëve ushtarakë, përderisa një grup kishte mbledhur informacione mbi bazat ushtarake dhe të mbrojtjes ajrore, ka bërë të ditur shërbimi i sigurisë, Shin Bet. Javën e kaluar, agjencia dhe policia izraelite bënë të ditur se një ekip prej një babai dhe të birit të tij kishin bartur informacione të lëvizjeve të forcave izraelite, përfshirë të atyre në Rrafshnaltat e Golanit, ku ata edhe jetonin.
Arrestimet pasuan përpjekjet e përsëritura të operativëve të inteligjencës iraniane gjatë dy viteve të kaluara për të rekrutuar izraelitë të rëndomtë për të mbledhur informacione dhe kryer sulme në këmbim të parave, kanë thënë për Reutersin katër ish-zyrtarë sigurie dhe ushtrie të Izraelit.
Burimet kanë kërkuar që të mos identifikohen për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
“Këtu bëhet fjalë për një fenomen të madh”, ka thënë Shalom Ben Hanan, një sh-zyrtar tepër i lartë i Shin Betit, duke iu referuar atij që e ka quajtur numër të lartë të shtetasve hebraikë, të cilët me vetëdije kishin pranuar të punonin për Iranin kundër shtetit duke mbledhur informacione ose planifikuar sabotime e sulme.
Shin Beti dhe policia nuk ka dashur t’i komentojë kërkesat e Reutersit. Nuk është përgjigjur as Ministria e Jashtme iraniane.
Në një komunikatë dërguar mediave pas valës së arrestimeve, misioni iranian në OKB nuk ka konfirmuar e as mohuar se ishte munduar të rekrutonte izraelitë dhe ka theksuar se “prej një këndvështrimi logjik”, çdo përpjekje e ngjashme e inteligjencës iraniane do të fokusohej në individë joiranianë dhe jomyslimanë si më pak të dyshuar.
Së paku dy persona janë nga komuniteti ultra-ortodoks i Izraelit, kanë bërë të ditur policia dhe Shin Beti izraelit.
Ndryshe nga operacionet iraniane të spiunazhit në dekadat e mëhershme që rekrutonin një biznesmen të profilit të lartë dhe një ish-ministër kabineti, spiunët e tanishëm të dyshuar ishin kryesisht njerëz të panjohur të shoqërisë izraelite, përfshirë emigrantë, një dezertor ushtrie dhe një dhunues të dënuar, kanë treguar bisedat me burimet, të dhënat e gjykatave dhe deklaratat zyrtare.
Shumica e aktivitetit të tyre ishte kufizuar në grafitë anti-Netanyahu dhe anti-qeveritare në mure dhe në makina të dëmtuara, ka konfirmuar Shin Beti.
Për më tepër, përmasat e arrestimeve dhe përfshirja e kaq shumë izraelitëve hebraikë, pos qytetarëve arabë, ka shkaktuar shqetësim në Izrael në kohën kur është në luftë me “Hamasin” në Gazë dhe mbetet e brishtë marrëveshja e armëpushimit me “Hebzollahun” në Liban.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com