Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haziri: QUINT-i bisedoi me opozitën për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve serbe në Kosovë, Kurti jo

Një mendim lidhur me mbajtjen ose mosmbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë e kërkuan ambasadorët e shteteve të QUINT-it nga partitë opozitare, mirëpo jo edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kështu kanë thënë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kososovës, Lutfi Haziri, dhe nënkryetar i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ardian Gjini, në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas Hazirit, partia ku ai është nënkryetar është kontaktuar nga QUINT-i, ai ka thënë se kjo parti ka pranuar dy telefonata nga përfaqësuesit specialë.

“Me neve kanë bisedu të gjithë ambasadorët e QUINT-it, kanë qenë dy telefonata të veçanta nga përfaqësuesi special”, është shprehur ai duke shtuar se ambasadoret e QUINT-it i kanë kontaktuar edhe partitë e tjera opozitare.

Se Kurti nuk ka kontaktuar edhe me partinë tjetër opozitare, AAK, e ka konfirmuar edhe Gjini.

Ai ka thënë se nuk është kërkuar mendimi i tyre për një vendim të tillë.

Tutje Haziri ka thënë se nëse do kishin ndonjë ftesë nga Kurti për të diskutuar lidhur me çështjen në Serbi do e pranonin.

“Na ka thirrë presidentja në krizën rajonale të Ukrainës, thu që na kemi rol aty me na njoftu lidhur me qëndrimin e Kosovës për sanksionet dhe rreshtimin me aleatët tanë, kemi shku dhe e kemi dëgju se e kemi ditë që nuk ka diçka të re që prodhon Kosova në këtë rast, por vetëm është konfirmu që ne do të jemi në rresht me aleatët, e nuk po shkojmë për probleme që janë të brendshme për Kosovën”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se në këto kontakte që kanë pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-it mesazhi ka qenë që Kosova duhet që në dritën e bashkëpunimit dhe moskushtëzimeve të proceseve të vendos lidhur me çështjen e zgjedhjeve në Serbi.

Madje, sipas Hazirit, këta ambasadorë kanë kërkuar që opozita ta kryejë rolin që ka, por që, Haziri ka thënë se qëndrimi i tyre është i qartë që nga janari.

“E kanë lypë rolin tonë, na kanë pyet se çka mendojmë na. Ne qëndrimin tonë e kemi pasë të qartë kristal. Ne i kemi thanë përfaqësuesve amerikan dhe të BE-së që kanë qenë dy autoritetet kryesore që ne qëndrimin do ta ruajë në frymën e konstruktivitetit”, tha ai.

Tutje ai është shprehur i shqetësuar lidhur me funksionimin e dialogut të brendshëm në Kosovë.

“Në Kosovë edhe më tutje vazhdon QUINT-i me komuniku për procese të rënda edhe të mëdha në Kosovë ma shumë se dialogu i brendshëm. Te ne nuk po funksionon dialogu i brendshëm si mekanizëm”, tha Haziri duke mos e mohuar që Qeveria Kurti në fillim të mandatit të saj ka qenë në kontaktë të mirë me opozitën lidhur me konsultimet dhe njoftimet.

Kujtojmë se më 23 mars ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Sipas deklaratës së lëshuar, shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serbë në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare për të cilat zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhër pasi me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUINT-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.