Foto: Komuna e Gjilanit

Haziri pas vërshimeve në Gjilan: Shtabi i emergjencave është aktiv

Pas reshteve të mëdha të shiut gjatë ditës së djeshme në komunën e Gjilanit, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se gjendja është menaxhuar pa rrezik për jetën e qytetarëve, përkundër që ka hyrje të ujit nëpër bodrume dhe oborre në pikat më të ulëta në qytet.

Kështu deklaroi Haziri në një konferencë për media pas takimit që ka mbajtur sot me drejtorët komunalë dhe shtabit të emergjencave.

“Gjatë ditës së djeshme kishim reshje shiu me një intensitet të shtuar që fatmirsisht nuk kemi rrezik të jetës së qytetarëve, por vetëm dëme material. Edhe për sot, nesër dhe pasnesër janë paralajmëruar reshje, por apelojmë që gjatë kohës kur janë paralajmëruar reshje më të mëdha të qëndroni nëpër shtëpi që të mos shkaktohen tollovi me vetura në komunikacion, e pastaj të pengohet edhe intervenimit të ekipeve emergjente në terren”, ka thënë ai.

Sipas Hazirit, nga të dhënat zyrtare dje janë konfirmuar 25 ndërhyrje me institucione të emergjencës nga 52 kërkesa të qytetarëve për ndihmë, kryesisht nga drejtuesit e automjeteve në komunikacion, derisa një familje është evakuuar nga shtëpia, në lagjen Deremhallë, por që e njejta është kthyer pas pak kohe në shtëpi.

Kryetari ka apeluar që të kontaktohen numrat kujdestar 112 dhe 193 për të kërkuar ndihmë ose për të njoftuar për ndonjë emergjencë për vërshimet, sepse ekipet e emergjencave të Komunës së Gjilanit do të reagojnë menjëherë.

“Shtabi i Emergjencave është i vendosur në objektin e zjarrëfikësve në Gjilan dhe atje ka kujdestari dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së përgjithshme në Gjilan. Nga vlerësimet e tanishme ka kryesisht hyrje të ujit nëpër bodrume apo oborre. Nuk bëhet fjalë për vërshime sikur në rastin e fshatit Pogragjë muaj më parë, ku kemi ndërhy me infrastrukturë për rikthim të gjendjes në normalitet”, ka shtuar ai.

KALLXO.com ka raportuar për gjendjen e djeshme në Gjilan.

Vërshime në Gjilan, uji depërton edhe në lokale (VIDEO)