Lutfi Haziri nga LDK, 21 tetor 2021 Foto: KALLXO.com

Haziri pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së: Për koalicionet lokale vendos kryetari

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie ka thënë se në këtë takim kanë bërë vlerësimet e para pas zgjedhjeve lokale.

“Ne sot kemi takuar strukturat e LDK-së për të bërë vlerësimet e para të zgjedhjeve lokale. Ne po presim edhe numërimin e fundit të votave për të konstatuar komunën e 3-të e cila do të kalojë pa balotazh. Vlerësoj punën e madhe që është bërë duke falënderuar qytetarët”, tha ai.

Haziri ka folur edhe për koalicionet e mundshme nëpër komuna, duke thënë se për këtë sipas Statutit të partisë vendosë Kryesia Qendrore, respektivisht kryetari.

“Marrëveshje politike bllok LDK-ja nuk do të ketë më askënd. Marrëveshja jonë do të bazohet në parimin me marrëveshje me qytetarët, ne do të punojmë me qytetarin.  Në shkallë të parë vlerësimet për koalicione lokale i bëjnë degët e tona, por rregulla statutare e LDK-së që koalicionet lidhen vetëm nga Kryesia qendrore, respektivisht kryetari i saj, natyrisht në nivele lokale mund të ketë zhvillime, kontakte jo-formale dhe interesime, por në këtë nivel ne nuk kemi ende ftesë zyrtare as nuk kemi bërë ftesë zyrtare askujt për koalicion”, tha ai.

“Sepse e thash në parim ne garojmë në katër komuna kundër Vetëvendosjes, në dy komuna kundër PDK-së dhe dy të tjera kundër  AAK-së. Askush me askënd parimisht nuk mund të hyjë në një garë të tillë edhe për LDK-në është e paarsyeshme me kalu koalicionin me qytetarin”, shtoi Haziri.

 

Ai ka shtuar se “LDK e ka vlerësuar drejt shuplakën politike të 14 shkurtit dhe është rikuperuar me një angazhim. Ne besojme shumë që në raundin e dytë, 8 komuna do të jenë vulosja e një suksesi të madh të rikthimit të LDK-së”.

Haziri u pyet edhe për deklaratat e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit për koalicion në Gjilan më Listën Serbe.

“Nuk ka koalicion e as nuk ka pas kolaicion më asnjë parti politike, duke përfshirë edhe LS. Spekluative me dalë një deklratë e tillë nga një zëvëndëskryeministër i cili poashtu vie nga ai vend. Tendenca me rikthy rolin e Listës Serbe, si në Mitrovicë, është e rrezikshme, sepse komuniteti serb është i integruar në Gjilan, nuk del me blloku rrugë, dhe nuk punon në mënyrë politike”, tha nënkryetari i LDK-së.

Lutfi Haziri është gjithashtu kandidat për kryetar të Gjilanit. Sipas rezultateve preliminare ai do të shkojnë në balotazh me kandidatin e LVV-së, Alban Hysenin.