Haziri: Nuk e votojmë qeverinë e pakicës, po bëjmë përpjekje për arritjen e marrëveshjes

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK, nënkryetari Lutfi Haziri, ka thënë që edhe ky takim ka qenë në vazhdën e përpjekjeve për të arritur marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Konsultimet e sotme shkojnë në funksion  të shterjes së të gjitha mundësive që në bisedimet me VV-në të angazhohemi për ti dhënë vendit ekzekutiv. Këto konsultime janë në funksion të finalizimit të marrëveshjes me VV-në, LDK-ja që nga dita e parë ka qenë e përkushtuar”, tha Haziri.

Sipas tij përpjekjet për marrëveshje do të jenë intensive këto ditë.

“Jemi në përpjekje që sonte, nesër dhe pasnesër që ti realizojmë angazhimet tona të përbashkëta në definimin e rolit dhe përgjegjësive tona kushtetuese duke u pajtuar që qeverinë e udhëheqë LVV-ja dhe mandatari apo kryeministri në ardhje, Albin Kurti”, tha ai.

Nënkryetari i LDK-së konfirmoi edhe një herë që nuk kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre për postin e kryepalamentarit.

“Roli i LDK-së i fokusuar në përgjithësi në këtë fazë të Kuvendit të Republikës, ky zaten është dallimi kryesorë dhe i vetëm që ka mbetur të definohet përderisa qështjet tjera kanë marrë zbardhje, kanë marrë dakodim.

Ne do të vazhdojmë me u taku me bisedu dhe me sjellë një marrëveshje që të hënën na bënë me ekzekutiv të ri”, tha ai.

Ndërsa i pyetur se kur do të jetë takimi i radhës Haziri tha se ‘takimet e liderëve mund të mbahen në çdo kohë është çështje e dakordimit, ne jemi të hapur edhe VV-ja janë të hapur, ne do të ju njoftojmë’.

Nënkryetari Lutfi Haziri theksoi se LDK-ja nuk do të votoj qeverinë e pakicës në rast të dështimit të koalicionit.

“Qeveria e pakicës nuk ka funksionuar në Kosovë, ajo nuk tregon kurrfarë rezultati, qeveritë e pakicës nuk i japin zgjidhje, ne as nuk i japin zgjidhje e as nuk e votojmë”, theksoi ai.

Kanë mbetur më pak se 3 ditë, deri kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë përpara propozimin për kabinetin e ri qeveritar nga Albin Kurti, si mandatar i saj.

LVV ende nuk ka nënshkruar marrëveshje politike me asnjë nga partitë tjera parlamentare, që do t’i siguronin atij votat e mjaftueshme për të bërë Qeverinë.

 

LDK nuk e ka pranuar propozimin e fundit te LVV, e as kjo nuk e ka pranuar ofertën e LDK-së.