Haziri nga vendi ku ndodhi vrasja e shumëfishtë: Familja Bllaca ishte familje e respektuar

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka vizituar nga afër vendin ku ka ndodhur vrasja e shumëfishtë lagjen në ‘’Bujanina’’.

Ai përmes një konferencë për media deklaroi se familja Bllaca ishte familje e ndershme dhe e respektuar.

“I gjithë Gjilani është ditë zie. Tragjedia që po kalojmë është nën hetime dhe duke u zbardhur nga ana e organeve të shtetit. Është shuar një familje, është tragjedia më e madhe që mund ti ndodhë cdo kujt dhe për ne sepse kanë qenë një familje e ndershme, janë familje jashtëzakonisht e respektume por që problemet që kanë pas në këtë rast ka shkaktuar këtë tragjedi e cila mund të përballet vetëm me solidaritet”, tha kryetari Haziri.

Kryetari i Komunës së Gjilanit flet pas ngjarjes tragjike në Gjilan

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 18 février 2020

Ai tha se do të propozoj një ditë zie me rastin e vrasjes së shumëfishtë në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan.

“Komuna do të jetë pranë familjes së mbetur, pra me mixhën si autoriteti me i madhë në familje bashkë me kryetarin e bashkësisë islame dhe komunitetin e Cërrnicës ne do të kordinojmë krejt aktivitetet tradicionalisht. Kam propozuar një ditë zie për nder të familjes Bllaca që është ndarë nga jeta, kjo do të lidhet me ditën e varrimit, varet edhe më organet e tjera se kur të jenë të gatshëm edhe këshilli bashkësia islame”, tha Haziri.

“Djemtë[vellëzërit] kanë qenë edhe veprimtarë edhe të angazhum. Unë i njoh shumë mirë. Vetëm prokuroria e jep versioni zyrtar”, shtoi ai.

Prokuroria në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se sot rreth orës 13, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.

Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipa mjekësore, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

Ekipi i KALLXO.com është duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria në Gjilan: Zyrtarja e policisë vrau 4 anëtarë të familjes dhe veten