Haziri: Në zgjedhjen e presidentit LDK-ja do të evitojë çdo lloj pengese

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie ka thënë se LDK-ja do të luajë rolin e saj pozitiv në ndërtimin e institucionit të presidentit.

“Kryesia e LDK-së në mbledhjen e saj të rregullt pas tre takimeve që ka pasur të ndryshme ka shterur të gjithë debatin e brendshëm lidhur me rolin tonë politik në krijimin e institucioneve. Tashmë dihet se karshi qeverisjes së Vetëvendosjes do të jemi opozitë aktive, ndërsa në ndërtimin e institucionit të presidentit, LDK-ja do të evitojë çdo lloj obstruksioni institucional, çdo lloj pengese me rolin e saj pozitiv, në ndërtim dhe në funksion të stabilitetit”, tha Haziri para gazetarëve.

Haziri tutje njoftoi që nesër kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do t’i takoj deputetët për të biseduar për rolin e tyre në seancën kur pritet të zgjidhet presidenti apo presidentja.

“Kryetari i LDK-së dhe lidershipi nesër do të takohen me grupin e deputetëve, ne do të vazhdojmë diskutimet dhe debatin në mënyrë që pjesëmarrja në seancë dhe përfaqësimi i LDK-së në atë seancë të jetë në frymën kushtetuese duke evituar çdo lloj obstruksioni eventual, dhe duke kriju frymë dhe angazhim për stabilitet në vend”, tha Haziri.

Haziri u shpreh i bindur që vota e LDK-së do të jetë unanime për çështjen e presidentit.

“Në do të punojmë që të dalim unanim, dhe të ndërtojmë figurë të unitetit të brendshëm, veprimi jonë i përbashkët do të jetë arma jonë politike më e fuqishme. Nesër do të bisedojmë me deputetët dhe do ta paraqet qëndrimin e LDK-së i cili është i zbardhur tashmë”, tha Haziri.

Ndërsa i pyetur nëse do të takohen prapë me Vjosa Osmanin, Haziri tha se ‘e kemi shtjerrë nevojën me u taku me zonjën Osmani, jemi takuar në vikend’.

Pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti më 22 mars, është paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.