Haziri: Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë

Një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarëve në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka folur për Dhomat e Specializuara.

Ai ka thënë se besoj që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë.

“Uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët” – ka shkruar Haziri.

Nënkryetari i LDK-së ka shtuar se drejtësia duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu.

Ai ka shkruar edhe për përmendjen e LDK-së disa herë gjatë seancave gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë” – ka përfunduar Haziri.

Nesër, më 11 prill, fillon procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Postimi i plotë i Lufti Hazirit:

Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës. Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe.

Kjo zhurmë politike dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së.

LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë. Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët. Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu.

Nesër nis dëgjimi i dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë