Haziri: Në Gjilan u morën mostra në katër fshatra

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me anë të një njoftimi ka treguar se në katër fshatra të Gjilanit janë marrë mostra për analiza pas dyshimeve për coronavirus.

Ai madje konfirmoi se 11 personat që dolën pozitiv sot pas analizave të kryera janë nga fshati Vrapçiq i po kësaj komune.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sapo na njoftoi se nga të gjitha mostrat e marra sot në Gjilan, përkatësisht në Zhegër, Kravaricë, Cerincë e Vrapçiq, 11 anëtarë të familjes Shaqiri (Vrapçiq), si pasojë e infektimit nga anëtarja e familjes e cila ka ardhur nga Gjermania, fatkeqësisht rezultuan pozitivë me Covid19”, ka shkruar Haziri.

Ai tutje ka njoftuar se janë ndërmarrë veprimet për izolimin e plotë të vendeve të prekura me coronavirus.

Apeloj qytetarët që të mos kenë kurrëfarë shqetësimi sepse kemi marrë veprime për karantimim të plotë dhe menaxhim të situatës në vendet e prekura. Duhet të potencohet se Zhegra nuk e ka asnjë rast të ri pas testit të dytë sot, dhe pjesa tjetër e komunës është e paprekur”, shtoi ai.

KALLXO.com raportoi se gjatë ditës së sotme rreth 25 mostra ishin marrë nga dy familjet në Vrapçiq e Zhegër për tu testuar pasi që në po të dyjat familje kishin dalë fillimisht 2 persona të prekur me coronavirus.