Haziri: Ne e duam Gjilanin më shumë se partinë, të enjten e votojmë buxhetin e Komunës

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se të enjten, më 27.02.2025, partia e tij do të votojë për miratimin e buxhetit të Komunës për vitin 2025.

Haziri tha se këtë do ta bëjnë për qytetarët, punëtorët shëndetësorë e arsimtarët.

Miratimin e buxhetit thot se do ta bëjë sepse “më shumë e do Gjilanin sesa partinë”.

“Duke qenë se LDK ka qenë dhe është gardiane e ligjshmërisë, në kuadër të kësaj, Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit Komunal ka organizuar sot dëgjimin publik për buxhetin e vitit 2025, në përputhje me përgjigjen e datës 18 tetor nga ministri i MAPL-së ndaj kërkesës së paligjshme të ekzekutivit të Gjilanit. Sipas ligjit, specifikohet decidivisht që Kuvendi Komunal duhet të organizojë dëgjime publike e jo ekzekutivi”- thuhet në njoftimin e Zyrës e LDK-së për Marrëdhënie me Publikun.

Haziri thot se kështu edhe ishin dakorduar në takimin e organizuar nga kryesuesi i Kuvendit, me përfaqësuesit e partive politike, mirëpo siç thot ai kreu i ekzekutivit u tërhoq dhe në mënyrë të njëanshme dhe joligjore nga seanca e Kuvendit, pa u harmonizuar me kryesuesin.

“LDK ka dalë përtej partisë e në interes të Gjilanit, të punëtorëve shëndetësorë e arsimtarëve, duke qenë se pjesëmarrja jonë në grant të qeverisë është 4.2 milionë euro”- thuhet në njoftimin e LDK-së në Gjilan.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një konference për media, më 10.12.2024, u ka bërë thirrje partive opozitare në këtë komunë që ta votojnë buxhetin për vitin 2025.

Hyseni ka thënë se ky buxhet është për të gjithë qytetarët e Gjilanit.

Ndërsa, kishte njoftuar se tashmë janë e vetmja komunë në Kosovë që ende nuk e ka votuar buxhetin për vitin 2025.

“Ketë takim e kemi thirrur në nevojë urgjente për të bërë thirrje publike për votimin e buxhetit. Prej muajit shkurt po presim të votohet buxheti që të paguhen parat e taksapaguesve të qytetit. Thirrje e veçantë vlen për buxhetin e vitit 2025. Vlera e buxhetit është thuajse 40 milionë euro për 2025. Gjilani është komuna e vetme që nuk e ka votuar buxhetin për vitin 2025, të vetmit në nivel vendi”- kishte thënë Hyseni.

Ai kishte thënë se janë të gatshëm të pranojnë kërkesat e opozitës për projekte.

Komuna e Gjilanit prej muajit shtator nuk ka arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2025. Kjo pasi partitë opozitare nuk po pajtoheshin me draftin e dërguar nga qeverisja lokale.

Në tetor 2024, kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Riad Rashiti, kishte numëruar arsyet pse kjo parti nuk po e votonte buxhetin komunal për vitin 2025.

Vlera e buxhetit është thuajse 40 milionë euro për 2025.

Më 02.10.2024, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i kishte kërkuar ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që konform përgjegjësisë ligjore të nisë procedurën për shpërbërjen e Kuvendin Komunal të Gjilanit. Si arsye, ai kishte dhënë telashet me votimin e buxhetit komunal.

Ndërsa, më 13.11.2024, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Gentrit Musliu, ka publikuar përgjigjen e MAPL-së, duke thënë se zyrtarisht u refuzua kërkesa për shpërbërje të Kuvendit dhe kërkoi nga kryetari Hyseni që të reflektojë.

https://kallxo.com/lajm/mapl-i-pergjigjet-kerkeses-se-kryetarit-te-gjilanit-per-shperberje-te-kuvendit-komunal/

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 50 përcakton se Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksional mes tjerash edhe nëse nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin.

Pastaj, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.

Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksional. Më pas, zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me Ligjin për zgjedhjet komunale.

Alban Hyseni i LVV-së në fillim të mandatit të tij kishte bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Mirëpo nga 06.06.2023 Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë ndërprerë bashkëpunimin për qeverisje në Komunën e Gjilanit. Kësisoji pa një parti opozitare, Hyseni nuk i ka votat e mjaftueshme në Asamble.