Lutfi Haziri - Foto: REL/Official publication

Haziri mesazhe LVV-së: Ne nuk jemi degë e tyre

Kryetari i Komunës së Gjilanit njëherit edhe kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës  në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se janë dy rrugë me të cilat do të ecë para LDK gjatë zgjedhjeve të parakohshme

. Sipas tij, e vetme në zgjedhje dhe me partnerët politik.

“Në këtë raport që ekziston sot, ne do të ecim në dy rrugë, si të vetëm për të dëshmuar se mundemi dhe nëse ka nevojë me partner nëse të tjerët shkaktojnë, edhe me ta me të vetmin qëllim mos me e kërcënu ardhjen e LDK-së në qeverisje në këtë vjeshtë si parti e parë”, tha Haziri para strukturave të LDK-së në Gjilan.

Ai ka thënë se LDK ka arritur një unitet për të cilin kishte folur gjatë, ndërsa ka komentuar edhe zërat nga Lëvizja Vetëvendosje për koalicione parazgjedhore.

“Uniteti ka munguar që nga marsi, dhe jam i lumtur që u arrit uniteti në LDK, jo sa kam dashtë unë por është mbërri”, tha ai.

Ai ka dërguar një mesazh për partitë që dëshirojnë të bëjnë koalicion me LDK-në, duke thënë se ata që kanë rrënuar urat e bashkëpunimit s’mund të jenë në koalicion me partinë e Isa Mustafës.

“Spekulimet se një parti tjetër e donë Lutën e një parti dikë tjetër, mos u theni në emra as mos u gëzoni në emra sepse nuk mund të vendosin partitë e tjera për neve, nuk jemi degë e VV-së as nuk jemi degë e kërkujtë tjetër. Ata po e shohin LDK-në si barkë të mbijetesës politike, në atë barkë mund të hypin vetëm partnerët jo dikush tjetër. Jo ata që e kanë helmuar pusin dhe që kanë rrënuar ura, por jo edhe ata që nuk janë kredibil për të qenë pjesë e kësaj ecje politike”, deklaroi i pari i LDK-së në Gjilan.

Ai ka thënë se LDK do të mbrojë shtetin e Kosovës dhe territorin e saj.

“Do të punojnë bashkërisht 24 orë shtatë ditë  për të shkruar edhe një herë te të gjithë qytetarët  ku do që janë ata, LDK nuk mbetet vetëm shpresë, por është dera e vetme që e ruan këtë copë shteti që ka mbetë e këtë copë territori që është”, tha Haziri.

Në fund, ai porositi strukturat e partisë që të angazhohen në këto ditë me takime me mërgimtarë dhe t’i shfrytëzojnë tubimet e familjarëve.

“Gjilani në shtap zgjedhor nga sot i ka 980 anëtar, në krye të së cilës jam vetë dhe do të udhëheqim procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme  në këtë pjesë me të vetmin qëllim që të konfirmohet bastioni i LDK-së në Gjilan, në bashkëpunim me kryetaret e degëve. Shfrytëzoni këto pak ditë me bashkatdhetarët, me dasmat nga gëzimet familjare nëpër festivale, pra me një përgatitje për fushatën për zgjedhje”, tha në fund Lutfi Haziri.

LDK përfundoi zgjedhjet e brendshme më tre gusht, ku Isa Mustafa mori mandatin e tretë si kryetar i partisë.