Haziri: LDK-ja nuk do ta kapë shtetin

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se me partinë e tij në pushtet nuk do të ketë kapje të shtetit.

Haziri përmes një postimi në Facebook ka thënë se partia e tij gjithmonë ka qenë gardiane e demokracisë.

“LDK ka qenë gjithmonë gardiane e kësaj demokracie, sado fragjile që është. Të jeni të sigurtë se çkapja e shtetit, që është bërë si politike populliste në Kosovë, nuk ka me u leju me u zëvendësu me kapjen e re të shtetit”, ka shkruar Haziri.

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka shtuar se sfida kryesore e qeverisë së ardhshme është që të arrihet uniteti politik në Kuvend për temat e mëdha e me interes nacional.

“Nuk kemi komoditet që 11 vjet pas pavarësisë, të jetojmë pa stabilitet!”, ka shtuar Haziri.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka dalë si partia e dytë dhe aktualisht janë duke zhvilluar takime me partinë e parë Lëvizjen Vetëvendosje në nivel ekspertësh që ta harmonizojnë një plan-program qeverisës.

Të dy partitë kanë dhënë pëlqimin për një koalicion të mundshëm, por ende nuk është konkretizuar.