Haziri: LDK dhe VV nuk kanë folur rreth ndarjes së ministrive

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar spekulimet se LDK dhe Vetëvendosje kanë folur rreth ndarjes së ministrive.

Haziri ka thënë se deri tani bisedat mes dy partive që prijnë nga zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë vetëm për politikat programore e sektoriale.

Gjithashtu, Lutfi Haziri ka thumbuar Albin Kurtin duke përmendur krahun e stadiumit “Fadil Vokrri” në të cilin ka qenë ai  gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke thënë se nëse Vjosa Osmani do të ishte në Kosovë, do të ishte në perëndim.

Ky është postimi i plotë i Lutfi Hazirit në rrjetin social ‘Facebook’.

Nuk është mirë me nda pozita nga televizioni sikur një eksponent i një partie. Mbrëmë ka ndodhur sërish kjo. Është e dëmshme dhe then besimin e ndërsjelltë sepse deri tani bisedat kanë qenë vetëm për politikat programore e sektoriale.

Në asnjë takim të përfaqësuesve të LDK e LVV nuk është folur për ndarje të posteve ministrore. Po e presim finalen – çerfitikimin e zgjedhjeve nga KQZ.

Në nivel liderësh përfundon marrëveshja për bashkëqeverisje dhe ndarje të resoreve. Beso në Liderët. Ata na sjellin më të miren për vendin!

P.S. Vjosa ka qëllu n’Amerike se, përndryshe, kishte me qenë në perëndim të ndeshjes Kosovë – Mali i Zi!