Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haziri kritikon Qeverinë: Ka qenë një trik në raportin e performancës, por e kam pranuar

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka kontestuar vlerësimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe organizatës DEMOS, në raportin e performancës për vitin 2020.

Haziri në Debat Pernime tha se pozicioni i 13-të i Gjilanit në këtë raport, ka qenë një “trik”.

“E di që herën e kaluar jemi listuar në vendin e 13-të. Ka qenë një trik i vogël në vleresim por e kam pranu. Në menaxhim jemi zgjedhë Komuna ma e mirë, ndërsa renditje për këto kushte  nuk kemi pasur poena pozitive. Mirëpo kemi fituar 7 grante me 2 milionë euro nga performanca e mirë për tetë vjet dhe s’kam pasur asnjë mundësi me mendu në infrastrukturë, me transformu gjelberim, parqe perderisa Gjilani është përballë me vada, kanalizim dhe probleme tjera të ambientit”, tha Haziri.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjilanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit: Alban Hyseni nga LVV; Gani Neziri – kandidat i pavarur; Leonora Morina Bunjaku nga PDK; Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur; Lutfi Haziri nga LDK dhe Nazim Gagica nga AAK.

Po ashtu, pjesë e debatit janë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit: Albulena Sylejmani nga PD; Arjeta Kastrati nga Vatra; Diana Toska nga LDK; Kaltrina Fazliu nga AKR; Krenare Latifi Kqiku nga LVV dhe Zarife Asllani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.