Lutfi Haziri në Cërrnicë - Foto: Komuna e Gjilanit

Haziri: Cërrnica, fshati i dytë model i Gjilanit me infrastrukturë

Cërrnica do të jetë fshati i dytë model i Gjilanit me infrastrukturë.

Kështu ka thënë sot kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka vizituar punimet që janë duke u bërë në fshat.

Kryetari Haziri ka thënë se vonesat e deritanishme në rregullimin e infrastrukturës kanë qenë për shkak të ndërrimit të operatorit. Por, ai ka premtuar se puna do të vazhdojë me dinamikë më të madhe.

“Po punojmë në rregullimin e hyrje-daljeve të fshatit Cërrnicë dhe atë në dy drejtime. Rrugën kryesore nga qendra e fshatit që lidhet me rrugën Gjilan-Ferizaj dhe rrugën tjetër të madhe që lidhet përmes Livoçit të Ulët me qytetin e Gjilanit. Përpos këtyre dy rrugëve do të punojmë njëkohësisht edhe në rregullimin e rrugëve brenda fshatit, për të vazhduar me ujësjellësin për fshatin Vrapqiq e më pas edhe rrugën Cërrnicë – Vrapqiq. Gjithashtu në kuadër të kësaj Komuna e Gjilanit do të mbështet edhe kërkesat e shkollës dhe të Bashkësisë Islame, në mënyrë që mirëmbajtja e investimeve të jetë e përbashkët me gjithë komunitetin”, ka thënë kryetari Haziri sipas një komunikate të Komunës.

Ai gjithashtu ka potencuar se do të punohet në një segment të kanalizimit dhe trotuarëve, duke integruar edhe hapësirën publike të shfrytëzueshme për park dhe gjelbrim, kurse në fazën e ardhshme me programin e madh për trajtimin e ujërave të zeza, Cërrnica do të ketë edhe kolektorët e integruar për të ngritur nivelin e pastërtisë së ambientit dhe lumit në veçanti.