Haxhiu: Zyrtarët korrektues mund të përfshihen në shtesa

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se edhe zyrtarët korrektues do të mund të përfshihen në shtesat e Qeverisë së Kosovës për masat kundër COVID-19.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook tha se për këtë i ka shkruar Ministrisë së Financave.

“Të premten, Ministri i Financave, z.Besnik Bislimi, ka bërë të ditur shtesat që do t’i ndahen punonjësve shëndetësor, policëve dhe zjarrëfikësve. Pas kërkesave të shumta nga zyrtarët e ShKK, po atë ditë i kam shkruar zyrtarisht Ministrit të Financave dhe kam kërkuar gjetjen e mundësive që edhe shërbimi korrektues të jetë i përfshirë në pakon e planifikua”, ka thënë Haxhiu.

“Kam kërkuar poashtu nga drejtori i ShKK, raport për zyrtarët që kanë qenë direkt të ndërlidhur me zbatimin e masave kundër COVID në burgje. Pas dorëzimit të këtij raporti, të njëjin do ta përcjellë edhe në Ministri të Financave dhe së bashku do të shohim mundësitë e përfshirjes së tyre”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka thënë se personeli i shërbimit korrektuese do ta ketë mbështetjen e saj.

“Personeli i shërbimit korrektues, deri tani ka qenë në krye të detyrës dhe ka qenë i përkushtuar për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të burgosurve prandaj do ta kenë mbështetjen time, jo vetëm tani por në vazhdimësi sepse në agjenden time legjislative ka qenë prioritet edhe procedimi në Kuvend i ligjit të veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

“Fatkeqësisht atyre që nuk iu përshtatet përparimi, rrëzuan Qeverinë, duke tentuar të ndalnin edhe këtë ligj por edhe ligjin për administratën e sistemit të drejtësisë, atë të konfiskimit, vetingun dhe shumë reforma të tjera. Por siç e dini, kjo është vetëm një vonesë të cilën  të cilën do ta kapërcejmë së bashku”, ka thënë në fund Haxhiu.

Qeveria e Kosovës pritet që në dy muajt e ardhshëm t’i ndajë nga 300 euro shtesë në paga për secilin punëtor shëndetësor në Kosovë, atyre të policisë dhe zjarrfikësve.

Ky vendim i Qeverisë është marrë pas situatës me të cilën është duke u përballur Kosova me sëmundjen coronavirus.

Ministria e Financave dhe Transfereve ka propozuar një buxhet prej 170.6 milionë euro për t’u përballur me situatën e pandemisë së coronavirusit.