Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Haxhiu: Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë shpalljes së konkursit për noterë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit lidhur me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë i hap rrugë shpalljes së konkursit për noterë.

Haxhiu ka thënë se brenda një kohe të shkurtër do të themelohet komisioni përgjegjës.

“Më në fund, pas gati 3 vitesh, përmbyllet procesi gjyqësor për Provimin e Noterisë çka i hapë rrugë shpalljes së konkursit për noterë. Dua të njoftoj qytetarët se brenda një kohe të shkurtër do të themelojmë Komisionin përgjegjës dhe do të shpallim konkursin për noterë”- ka thënë ajo.

Tutje Haxhiu ka thënë se procesi do të jetë transparent e profesional.

“Nuk do të përsëriten situatat e ndërhyrjes në proces e nuk do të përdoren metodat e përzgjedhjes së personave mbi baza familjare, partiake apo biznesore siç pati ndodhur me konkursin e kaluar”- ka shkruar ajo në Facebook.

Të hënën Gjykata e Apelit ka njoftuar se i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B. dhe G.G., në procedurën e konfliktit administrativ ndaj Ministrisë së Drejtësisë

“Gjykata e Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin të datës 9 shkurt 2023, i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B., G.G., ndërsa i ka vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative të datës 24 dhe 28 qershor 2022, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues” – thuhet në njoftimin e Apelit.

Sipas njoftimit, objekt shqyrtimi në këtë procedurë ka qenë shqyrtimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e paditësve të lartpërmendur për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit propozim paditësit kanë kërkuar që të detyrohet e paditura të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë.

“Duhet sqaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, si gjykatë e shkallës së parë,  e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Q.S., etj. dhe e kishte anuluar vendimin e të paditurës – Ministria e Drejtësisë,  të datës 24 shkurt 2020, si të kundërligjshëm, njëherit duke vërtetuar se procesi i provimit për noterinë i shpallur me datën 19 prill 2019, nga e paditura Ministria e Drejtësisë, është i ligjshëm dhe i drejtë”- thuhet tutje në njoftim.